.
Published On: Tue, Jun 26th, 2018

Zgjedhjet e brendshme, Nagavci e Batusha kandidojnë për kryetar të VV-së në Gjakovë

Share This
Tags

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje në Parlamentin e Kosovës, Arbërie Nagavci dhe asamblisti i këtij subjekti politik në Kuvendin Komunal të Gjakovës, Agon Batusha janë dy kandidatët të cilët do të garojnë për kryetar të Qendrës së Lëvizjes në Gjakovë.

Tashmë është mbyllur afati i dorëzimit të kandidaturave për kryetar, ndërsa Komisioni Zgjedhor Ad hoc i Qendrës njoftoi se kandidaturat e Nagavcit dhe Batushës përmbanin dokumentacionin e nevojshëm për kandidim.

Sipas parimit një anëtar një votë, anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë të drejtë të hedhin votën e tyre në kutitë e votimit nëpër vendvotimet që do të hapen në Gjakovë më 8 korrik, duke shprehur vullnetin e tyre në lidhje me kandidaturat e paraqitura.

Nga dita e martë është hapur edhe fushata ku të dy kandidatët do të paraqesin platformat e tyre për mandatin e kryetarit. Fushata e zgjedhjeve të brendshme do të mbyllet 24 orë para ditës së votimit.

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjakovë mbeti pa kryetar pas dorëheqjes së Driton Çaushit në janar të këtij viti, i cili më pas u largua nga kjo parti për t’ju bashkuar Partisë Socialdemokrate./radiogjakova/