.
Published On: Wed, Mar 12th, 2014

Valbona, mrekullia që na fton për ta shijuar

Share This
Tags

valbona-1Komuna Margegaj, është një komunë e vogël në rrethin e Tropojes, me vetëm 4 mijë banorë. Por, dhurata që natyra e ka rezervuar për të, po e qon Margegajn drejtë një vendi mjaft të kërkuar në aspektin turistik, e në të njejten kohë po e shëndron atë në një zonë urbane.

Kjo komunë, administron Parkun kombëtar të Valbones, që falë ujit të kristalt të lumit “Valbona” dhe pamjeve përrallore të Alpeve shqiptare, po e kthehet në njëren prej pikave më strategjike për zhvillimin e turizmit në pjesen veriore të Shqipërisë, apo në Malsinë e Gjakovës. Margegaj, përbëhet nga disa fshatra turistik të veçantë në këtë aspekt, siç është Dragobia, Valbona, Shoshani, Rragamaj e të tjera, të cilët pothuajse çdo ditë gjatë tërë vitit janë të mbipopulluar me turistë të huaj dhe vendorë. Sipas shënimeve zyrtare, vetëm gjatë vitit 2013, Parkun Kombëtar të Valbonës e kanë vizituar rreth 40 mijë turistë.

Të vetdijshëm për pasurinë natyrore që e kanë, zyrtarët e kësaj komune, thonë se janë duke bërë përpiekje të shumta për investime konkrete dhe animim të turistëve, interesimi i të cilëve është duke u rritur dita ditës. “Vetëm në dy – tre vitet e fundit, kemi tenderuar disa qindra mijra euro në ngritjen e infrastruktures, kryesisht asaj rrugore, por edhe infrastruktures përciellëse siç është ujsjellësi, kanalizimi e të tjera”, thotë Rexhë Biberaj, kryetar i kësaj komune, i cili është në këtë post që nga viti 2000. Ai tregon se viteve të fundit, në këtë zonë, është rikthyer vëmendja e qeverisë shqiptare, e cila me investime konkrete, ka vënë ndër prioritetet kryesore zhvillimin e turizmit malor në këtë pjesë. “Tashmë janë realizuar disa nga projektet jetike për këtë zonë siç është rruga Margegaj – Bajram Curri, Rruga e Ceremit dhe hapja e pikës kufitare në qafen e Vranicës, e cila e ka lidhur Margegajn me Plaven e Gucinë. Por, mbi të gjitha investimi më i qëlluar është hapja e qendrës moderne turistike, e cila ofron çdo shërbim të mundshëm për vizitorët”, ka shtuar ai.

Valbona 6

E interesimi për ta vizituar këtë perlë të turzmit shqiptar, është duke u rritur çdo ditë e më tepër. Vetëm gjatë këtij vikendi, në Margegaj, po qëndronin mbi 100 turistë nga shtete të ndryshme të Evropës dhe ballkanit. Në të gjitha rastet, ata ngeleshin pa frymë me peisazhin që kishin para vetes “Kjo është e mrekullueshme. Diçka të tillë, kam mundur të shof vetëm në filma. Kjo është hera e dytë që vi këtu dhe thjeshtë jam i dashuruar në këtë vend”, thoshte Noah, një i ri gjerman, që sëbashku me shumë bashkvendas të tij kishin zgjedhur luginen e Valbones për ta vizituar. Noah tregon se ndryshe nga vizita e parë para tre vitesh, kësaj rradhe kishte vendosur të qëndrojë disa ditë, meqë zona ofronte të gjitha kushtet për një qëndrim të tillë. “Herën e parë kemi ndenjur vetëm një ditë, sepse nuk kemi pasur ku të flemë, Tash gjerat paskan ndryshuar për të mirë dhe ne po kënaqemi plotësisht”, shton ai.

E deklaraten e gjermanit e konfirmon edhe kryetari Biberaj, i cili tregon se Lugina e Valbonës i ka shumëfishuar kapacitetet pritëse. “Aktualisht kapaciteti ditor është 500 shtretër me kushte shumë të mira. Falë investimeve të vazhdueshme problemet me ujë e me drita janë diçka e kaluar. Krahas kësaj viteve të fundit kemi punuar shumë edhe në pregatitjen dhe rregullimin e tereneve si në aspektin horizontal ashtu edhe në atë vertikal, përfshirë edhe shenjëzimet dhe udhëzimet për turistët. Në qendrën e turizmit kemi angazhuar disa dhjetra të rinjë, që me tërë potencialin e tyre gjatë tërë kohës janë në shërbim të turistëve”, vazhdon kryetari Biberaj.

valbona-2

Ai tregon se një dukuri pozitive që po vërehet gjatë dy viteve të fundit është dëshira e tropojanëve që jetojnë jashtë shtetit që të kthehen dhe të gjitha paratë e grumbulluara t‘i investojnë në ngritjen e kapaciteteve turistike, konkretisht ngritjen e haneve, moteleve e restauranteve rrëzë bjeshkëve. Por, përkundër shumë investimeve, në këtë zonë ende kanë mbetur punë të pa përfunduara.

Prioritet i udhëheqjes lokale dhe nevojë e domosdoshme e turistëve mbetet edhe përfundimi i asfaltimit të rrugës nacionale Bajram Curri – Valbonë, 7 kilometra të së cilës tashmë janë asfaltuar dhe pjesa tjetër prej 12 kilomentrash edne nuk ka përfunduar. “Tashmë mbetet në vullnetin e qeverisë së re që ta përfundojë asfaltimin e kësaj rruge, e cila është e një rëndësie të madhe, sepse është rruga kryesore që qon në parkun e Valbonës. Por, jo vetëm kjo. Qeveria e re shqiptare duhet ta vendosë këtë pjesë në prioritetet e veta dhe me investime sistematike të ndikojë në rritjen e kapaciteteve dhe forcimin e më tejmë të zonës”, përfundon kryetari Biberaj.

valbona-3

Të kënaqur me ato që ofron Lugina e Valbonës, përfshirë bukuritë natyrore, mikpritjen e vendasve, ushqimin cilësor tradicional dhe kushtet e ofruara nga shteti, janë edhe disa nga turistët vendorë, përfshirë këtu edhe ata nga Kosova, të cilët realisht janë numër shumë i madh. “Vi shpesh këtu dhe vërtetë kaloj shumë mirë. Nuk kam ndonjë vërejtje të madhe, sepse pothuajse gjithçka është në nivel. Mbase vërejtja e vetme është kjo rruga nga Bajram Curri në Valbonë e cila nuk është e asfaltuar në tërësi. Jo se kalohet me vështirësi, por po të ishte e asfaltuar do të ishte shumë më mirë”, thotë Sadik Hajdari nga Prizreni, i cili bashkë me familjen e tij kishte vendosur që vikendin ta kalonte në bukuritë e Alpeve shqiptare.

Ndryshe, zhvillimi i kësaj zone, është në interes edhe të shumë qytetarëve të Kosovës, e në veçanti të Gjakovës, të cilët Margegajn e kanë largë vetëm 7 kilometra nga pika kufitare ne qafen e Morinës. “Të gëzon fakti se në këtë pjesë ka filluar të investohet me të madhe. Por këto investime duhet të jenë edhe më të shumta në të ardhmen sepse faktorizimi i kësaj zone turistike dhe përfundimi i koridorit Adriatik – Alpe, që do ta lidhë Shëngjinin me Malsinë e Gjakovës dhe Plaven e Gucinë, do të jenë injeksioni më i fuqishëm për këto treva që sinqerisht janë më të varfërat në trojet shqiptare” thotë ish deputeti i kuvendit të Kosovës Halil Ahmeti, aktualisht kryetar i shoqatës “Drini” Gjakovë – Shkodër.

Artan Z. Haraqia