.
Published On: Thu, Nov 28th, 2013

“Unë nuk jam mirë, kur Gjakova nuk është mirë”

Share This
Tags

mimoza-koncertiGjakovë- Me organizim të kandidates për kryetare, Mimoza Kusari-Lila dhe partisë që ajo përfaqëson, AKR, në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” u mbajt një koncert artistik për nder të 28 Nëntorit i quajtur “Festo me Mimozen” ku performuan artistë nga Gjakova dhe Shkodra.

Pasi nderoi dëshmorët dhe martirët e komunës së Gjakovës, Kusari-Lila tha se ka kandiduar për të çuar në vend amanetin e tyre për një qytet më të mirë. “Ismail Qemali ka thënë “Unë nuk jam mirë, kur nuk është Shqipëria mirë” dhe po ju them para jush se as unë nuk jam mirë kur Gjakova nuk është mirë. Gjakova nuk është mirë se akoma të rinjët ikin. Gjakova nuk është mirë se politika ka hyrë në çdo pore të jetës sonë”, u shpreh Kusari-Lila.

Ajo nuk ka lënë pa rikujtuar faktin se Komuna nuk i dha leje organizatorit që këtë event ta mbajë në pallatin e sporteve, por ajo është shprehur se nuk ka shumë problem. “Ne do të ishim më rehat në pallatin e sporteve, por dikush tha jo sepse i penguan vlerat që u prezantuan sonte. Por a e dini çka, ata e kanë vetëm edhe një ditë pune. Më 3 nëntor votuan ndryshimin, një standard që i shkon përshtat kësaj komune, votuan që Gjakova të kthehet si prijëse, si vend i dijes, arsimit, shkencës e kulturës dhe kështu do të votojnë edhe për 1 dhjetor”, shtoi ajo.

Kusari-Lila ka dërguar fjalë edhe për taborrin e AAK-së duke thënë se do jetë kryetare edhe për ata, se nuk do t’i ndajë investimet në bazë të votave, por do punojë për një komunë më të mirë dhe të bashkuar. “Koha jonë ka ardhur, Gjakova do të qeveriset për së mbari nga 1 dhjetori. E kam thënë shpesh dhe do ta them prap: Gjakova është një dhe e pandarë”, tha Kusari-Lila.

koncerti-mimoza

Në këtë koncert artistik të pranishmit paten mundësi të përcjellin këngëtarët e mirënjohur nga Gjakova dhe Shkodra si: Ismet Peja, Shkelzen Jetishi, pastaj Bik Ndoja, Bujar Qamili, Myfarete Laze, Vjollca Luka, Mukadeze Qanga, e të tjerë si dhe aktorët dhe humoristët Hadi Shehu, Tinka Kurti, Sevdai Radogoshi dhe Gëzim Kruja. Pjesë e këtij evenimenti ishte violinisti i njohur anëtar i Filhamonisë Vjeneze, Shkelzen Doli me formacionin “Jakova”./radiogjakova/