.
Published On: Sat, Feb 10th, 2018

Themelohet Këshilli Publiko-Privat i Gjakovës, por çfarë është KPP?

Share This
Tags

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, ka nisur procedurat për të themeluar Këshillin Publiko-Privat të Gjakovës.

Detyrë e këtij këshilli do të jetë bashkërendimi dhe ndihma e ndërsjellë për nisjen, zgjerimin dhe zhvillimin sa më efikas të bizneseve lokale. Në këtë këshill do të marrin pjesë të gjithë afaristët dhe ndërmarrësit e komunës si dhe zyrtarët më të lartë publikë që kanë ndikimin në ekonomi dhe biznes.

Në këtë këshill priten te kyçen edhe udhëheqësit e ndërmarrjeve publike lokale, rajonale dhe shtetërore. Kryetari Gjini tha se ky këshill do të ketë takime të rregullta dhe projektet që ka komuna të jenë në shërbim të zhvillimit të biznesit.

Këshilli Publiko-Privat do të jetë përherë i kyçur dhe i konsultuar para vendimeve për zhvillime infrastrukturore. Kreu i Komunës përsëriti synimin që institucioni që drejton do të jetë partner dhe mik i bizneseve.

Po ashtu, ky Këshill synon të jetë partner i Komunës edhe në një tjetër çështje shumë të ndjeshme si ajo e ish-ndërmarrjeve publike. Përkundër pengesave ligjore, administrative apo neglizhencës, në Komunën e Gjakovës thonë se kjo gjendje nuk mund të tolerohet më tutje.

Madje thonë se Komuna do të ndërtojë raste për ndjekje penale ndaj të gjithë individëve dhe institucioneve që po e mbajnë peng zhvillimin e Gjakovës./radiogjakova/