.
Published On: Mon, Apr 9th, 2018

Të rinjtë gjakovarë nuk janë të përfshirë në vendimmarrje

Share This
Tags

Organizata “Inno” në bashkëpunim me Institutin D4D të shtunën mbajti një tryezë të rrumbullakët me temë “Pjesëmarrja e të rinjve në zgjedhje. Adresimi i nevojave të tyre nga qeverisja e re lokale”.

Rasim Alija nga Instituti Demokracia për Zhvillim tha se problemet e të rinjve gjakovarë nuk dallojnë shumë prej atyre të komunave të tjera. Ai përmendi mungesën e vullnetit të subjekteve politike që t’ju krijohet më shumë hapësirë të rinjve në strukturat vendimmarrëse.

Pavarësisht se ishte paralajmëruar pjesëmarrja e zyrtarëve më të lartë komunalë dhe të subjekteve të tjera pjesë e Kuvendit Komunal, në këtë tryezë mori pjesë vetëm kuvendarja Mimoza Shala. Ajo kërkoi të rinjtë që të jenë më aktiv me kërkesat e tyre dhe të kërkojnë llogari prej të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

Pikërisht për të nxitur qytetarin aktive, organizata “Inno” tha se do të ndërmarrë të tjera aktivitete. Etnik Dautaga nga kjo organizatë u shpreh se këto aktivitete do të shtrihen edhe në shkollat e Gjakovës.

Të rinjtë e pranishëm thanë se drejt Kuvendit Komunal ka pasur kërkesa të ndryshme, por që nuk janë parë të arsyeshme të realizohen, çfarë ka ndikuar tek ata që të bie besimi në subjektet politike.

Ndryshe, në këtë tryezë u tha se në Gjakovë mosha mesatare e asamblistëve është 39.4-vjeç që është më e ulët në krahasim me atë të legjislacionit të kaluar kur ka qenë 46.1-vjeç.

Të rinjtë u inkurajuan që të marrin pjesë në mbledhjet e Asamblesë dhe në dëgjimet për çështje të ndryshme./radiogjakova/