.
Published On: Sat, Aug 3rd, 2013

Të kesh një emër të veçantë

Share This
Tags

femija-prinderMe ardhjen në jetë të një fëmiu prindërit çdoherë preokupohen se cfarë emri t’i vënë atyre. Disa kujdesen që emri të jetë jo shumë i dëgjuar, ose në rastin më të mirë që se ka asnjeri, ose rrallëherë vendosin ta trashegojnë dhe emrin e një familjari tek ata.

Emra mjaft të bukur kemi rastisur të dëgjojmë edhe në Gjakovë, të cilët me krenari i mbajnë disa të rinj. Për radiogjakova.info ata shpjegojnë domethënien e emrave të tyre, kush ju ka lënë atë emër dhe sa i bëjnë të ndihen të veçantë kur i thërrasin apo prezantohen për herë të parë.

Nga Ednori tek Smaragda, nga Mesudi tek Detlikona dhe në fund tek Dalvini

te-rinjet-fiona“Emrin ma ka lënë halla, e domethënia e emrit Ednor lidhet me një fis ilir “etnor”. Por ajo që e bënë të veçantë eshtë shkronja “d” që e ka ndryshuar dhe e ka bërë emrin tim paksa më ndryshe”,  tregon më shumë mbi emrin e vet, Ednor Qela, duke shtuar se emri e ka bërë të ndihet edhe i lajkatuar ndonjëherë kur si me shaka disa prindër i kanë pohuar se emrin e tij do t’ia vënë pasardhësve të tyre.

Të njëjtën gjë e tregon edhe Smaragda Zhubi, aktualisht studente, e cila për domethënien e emrit të saj ka një histori të veçantë. Ajo tregon se domethënia e emrit të saj vjen nga gur i çmuar i gjelbërt, i cili hyn në llojet e diamantit. “Emri internacional i këtij guri të çmuar është “Smaragd”. Këtë emër ma vuri babi i cili është ingjinier i gjeologjisë dhe ky ishte një nga gurët që ai studioi”, thotë Smaragda. Ajo tregon dhe rastet kur njerëzit që e takojnë për herë të parë kanë vështirësi në shqiptimin e drejtë të emrit. Por zgjidhjen e kanë gjetur shoqëria e saj të cilët, sigurisht për lehtësi, e thërrasin shkurtë, Smagi.

Të ta vënë emrin prindërit është me të vërtetë bukur, por kur ata zgjedhin për ty një emër të veçantë siç është ai i Mesud Zekës është edhe më bukur. “Emrin ma ka vënë babi dhe e falenderoj shumë sepse me të vërtete shumica e njerëzve që takoj më pyesin edhe janë kurioz për domethënien e emrit tim”, thotë Mesudi, duke na treguar se emri tij ka lidhje me fe dhe do të thotë “i fatësuar, i lartësuar”.

Edhe Detlikona Ramën e ‘lakmojnë’ për emrin që mban. Ndoshta, është ndër të pakët emra të cilët nuk i kemi dëgjuar në ndonjë cep të lagjeve apo çarshitë e kafenetë e Gjakovës. “Emrin ma ka lënë mami dhe idenë e ka marrë nga një komunë afër Zvicrës, e njohur si Dietlikon dhe duke e përshtatur paksa”, thotë ajo, e cila shton se nuk ka dëgjuar ndonjëherë të ketë dhe dikush tjetër emrin e saj.

Një histori interesante dhe me pak nota humori ka edhe Dalvin Mamusha. “Në momentin kur i kanë propozuar emër për mua babait, i kanë thënë Dalin, por babait i ka tingëlluar Dalvin dhe kështu ma ka vënë”, tregon me të qeshur ai. Me kalimin e kohës ka mësuar se emri i tij ka qenë emri i një fizicienti dhe ajo që e bënë edhe më tutje të veçantë është edhe kuptimi i dytë i emrit. “Është e veçantë  ndoshta sepse lidhet me fatin, është një kuptim “fat i mëshirshëm”, domethënia tjetër e emrit Dalvin “, përfundon Mamusha.

shoke-

Emri ka rëndësi

Psikologia Jeta Rexha thotë se një emër i veçante dhe i bukur e motivojne një njeri prandaj çdo prind duhet të ketë kujdes kur vendos se si ta quaj fëmiun e tij. Për të e rëndësishme është që kur të rritet të mos i vij turp për emrin, pasi do të përbënte një pengesë të madhe.

“Emri është gjëja që më së shumti e konfirmon personalitetin dhe individualitetin njerëzor. As që mund të imagjinohet komunikimi dhe jeta reciproke e njerëzve pa emra. Do të thosha edhe që emri duhet të jetë i bukur dhe me kuptim të bukur që mos t’i paraqesë pengesë fëmijës kur ai të rritet dhe të zhvillohet. Kuptimi i emrit nuk duhet të çojë në pesimizëm, në dëshpërim ose në domethënie të shëmtuar. Prandaj në fund si mesazh do të thosha që fëmijëve t’ju vihen emra të bukur” , tregon Rexha në rëndësinë dhe kënaqësinë që të fal një emër i bukur dhe i veçantë./radiogjakova/

Fiona Stuja