.
Published On: Wed, Jan 14th, 2015

Shkëlzen Doli: Me Gjakovën më lidhin shumë kujtime

Share This
Tags

shkelzen-doliIshte viti 1995, atëherë kur karriera e një prej violinistëve më të përmendur gjatë kohëve të fundit, nuk do të njihej vetëm në Kosovë e Shqipëri, por kudo nëpër botë. Ai është Shkëlzen Doli, një muzikant shumë i suksesshëm sot në Orkestrën e Filarmonisë së Vjenës. Shkëlzen Doli është pikërisht ai djali që solli në natën e ndërrimit të viteve nota të shkëlqyera të muzikës shqiptare në mes të Vjenës. Ka lindur në Shqipëri dhe është rritur në Kosovë, por ka mësuar të shkëlqejë në Vjenë, nga ku nuk mundi të shkëputej edhe të harronte rrënjët e tij.

Ishte pikërisht viti 1995, kur ai nisi të punonte me emra të njohur të botës së muzikës klasike. Asokohe, Shkëlzen Doli vazhdonte studimet në Universitetin për Muzikë dhe Arte Figurative në Vjenë. Sot, ai njihet si një ambasador i shkëlqyer i kulturës shqiptare. Sepse përveç punës dhe aktiviteteve si anëtar i Filarmonisë së Vjenës, Shkëlzen Doli me tingullin e violinës prej vitesh kontribuon edhe në prezantimin dhe njohjen e vlerave të artit dhe kulturës shqiptare në të gjithë botën.

Për të prezantuar sa më mirë dhe sa më denjë në Evropë, por edhe në të gjithë botën artin dhe kulturën tonë, Shkëlzeni ka realizuar disa programe me muzikë autoktone shqiptare, në bashkëpunim me muzikantë të tjerë shqiptarë. Janë këto programe që janë bërë të njohura jo vetëm në trojet tona, por edhe në toka të huaja, ato që na bëjnë të gjithëve ta quajmë Shkëlzenin ambasadorin e vërtetë të kulturës shqiptare.

Në një intervistë me gazetën “Shekulli”, artisti do të rrëfejë lidhjet e tij me violinën, marrëdhënien me Shqipërinë dhe muzikën shqiptare, por edhe punën e tij si artistë në Filarmoninë e Vjenës.

Shkëlzen, pas interpretimin tuaj në koncertin e fundvitit në Vjenë keni bërë krenarë gjithë shqiptarët. Si ndiheni? A do të mbetet ky si një moment i papërsëritshëm në kujtesën tuaj?

Besoj vërtet që ky do të mbetet një kujtim i pashlyeshëm në kujtesën time, sepse dhe përjetimi i emocioneve të tilla e bën gjithnjë të kujtohet bukur. Jam shumë i gëzuar që pata mundësinë të luaj këtë potpuri, për të njohur publikun mbarëbotëror me artin tonë, muzikën shqiptare, dhe për të kënaqur zemrat e bashkëkombësve të mi në këtë fillim viti.

Thonë se stili dhe tingujt që vinin nga Filarmonia e Vjenës kanë qenë vendimtare për ju si violinist. Si i kujtoni hapat e parë, atëherë kur ju studionit për arte në Vjenë dhe sapo i ishit bashkuar Orkestrës Filarmonike të Vjenës?

Në fakt, studimet e larta i kam kryer në Universitetin shtetëror të Vjenës. Mbërrita në Austri mbasi kisha fituar konkursin e talenteve të rinj për ish-Jugosllavinë gjatë kohës që po diplomohesha në shkollën e mesme të muzikës në Novi-Sad. Është e vërtetë që tingujt që vinin nga Filarmonia e Vjenës kanë influencuar apo kanë ndikuar në jetën time artistike, sepse më kanë nxitur që në fillimet e mia drejt një perfeksioni muzikor me dëshirën për të arritur edhe unë (dikur), në këtë nivel botëkuptimi dhe interpretimi muzikor.

Sa e vështirë ka qenë të arrini në pozicionin që jeni sot? Ka qenë më shumë punë, studim apo talent?

Angazhimi im në Orkestrën Filarmonike të Vjenës ka filluar që në vitin 1995. Gjatë studimeve, mbas një audicioni shumë të vështirë fitova të drejtën për të luajtur si zëvendësues në Filarmoninë e Vjenës. Ishte një ëndërr e bukur që u realizua, për të më dhënë jo vetëm kënaqësinë e të luajturit në këtë Orkestër prestigjioze, por edhe mundësinë për të mësuar më shumë mbi muzikën klasike dhe stilin vjenez. Flas këtu për eksperiencën e kësaj Filarmonie dhe fondin muzikor të kësaj orkestre me tradita, që ka ardhur si punë e dirigjentëve më të njohur në botë.

Për ju thonë se nuk i bie violinës, por lodron me të. Si vjen kjo lojë te ju?

Loja në violinë është mundësia ime për të shprehur ndjenjat dhe botëkuptimin tim muzikor. Ajo shpesh ngjan me atë që thoni ju, lodrimit ku teknika dhe muzikaliteti shkrihen së bashku për të falur emocione të hareshme, e herë të tjera për të trazuar shpirtin thellë dhe kjo jo vetëm te publiku.

Pasion për ju është edhe muzika popullore. Sa vendimtar ka qenë për ju ky zhaner?

Për muzikantin arti i popullit të vet është burim frymëzimi dhe pasioni. Unë gjatë gjithë jetës sime jam mbështetur në këto themele solide, për të ndier, kuptuar dhe interpretuar natyrshëm në zhanret më të larmishme muzikore. Unë ndihem krenar për këtë pasuri të pashtershme të popullit tim.

Cilat janë këngët shqiptare të cilat nuk do të lodheshit së dëgjuari kurrë?

Këngët shqiptare janë vërtet të bukura, jetojnë dhe marrin vlerë nga diversiteti dhe larmia që i karakterizon. Por në rastin tim është patjetër edhe nostalgjia që më bën t‘i dëgjoj shpesh, edhe me shumë kënaqësi këngët e bukura nga të gjitha trevat shqiptare.

Cili është projekti juaj i radhës?

Një bashkëpunim me disa miqtë e mi, muzikant të shquar shqiptar dhe të huaj, në një projekt muzikor për nxjerrjen në pah të vlerave të rralla që mbart muzika e bukur, ajo e vërteta në vetvete.

Sot shqiptarët të talentuar duartrokiten nga e gjithë bota

Ka lindur në Shqipëri dhe është rritur në Gjakovë, por të famshëm e bëri Vjena. Në këtë pjesë të intervistës, violinisti Shkëlzen Doli, do të na rrëfejë marrëdhënien e tij me qytetin e lindjes Elbasanin dhe me Gjakovën, një qytet nga i cili ruan shumë kujtime. Tregon se edhe në Tiranë ka shumë miq që vjen t’i takojë sa herë që të mundet.

Keni lindur në Elbasan, por jeni gjakovar. Si i keni marrëdhëniet me Elbasanin dhe Gjakovën?

Elbasanin, qytetin tim të lindjes e kam vizituar rrallë, por muzika e bukur dhe këngët tradicionale të Elbasanit më kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës. Me Gjakovën qytetin ku jam rritur më lidhin të gjitha kujtimet e fëmijërisë dhe rinisë sime të hershme. Qyteti ku mësova dhe luajta për herë të parë në violinë është dhe sot për mua një burim i pashtershëm i nostalgjisë dhe i pasionit. Do të mbetet për mua skena më e bukur dhe më e vështirë që nga hera e parë kur u ngjita në të për të interpretuar Zigurin, “Njeriu me Top”.

Po me Tiranën? A vini me dëshirë në Tiranën e sotme?

Në Tiranë kam shumë miq, shokë e të afërm. Ndihem mirë dhe kthehem me kënaqësi sa herë që mundem të shfrytëzoj atë pak kohë të lirë, që kam për t‘u çmallur me këtë qytet.

Ju keni luajtur për 100-Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë në Gjakovë. Po në Shqipëri a keni menduar të realizoni një koncert në Tiranë?

Shpresoj që të kemi mundësinë të organizojmë diçka të bukur në Tiranë dhe pa pasur përvjetorë apo jubile. Thjesht për kënaqësinë e bashkëpunimit me artistët e mëdhenj shqiptarë dhe atë të kontributit në muzikën e vendit tonë. Sepse artistë shqiptarë që duartrokiten sot në skenat botërore janë të shumtë. Ata janë ambasadorët më të mirë që përcjellin një mesazh të madh, nga një popull që diti dhe në kohët më të vështira, të ruajë e të përçojë artin dhe vlerat e veta.

Luela Myftari/SHEKULLI