.

Rreth nesh

Posted By rdiogjk On Monday, October 1st, 2012 With 0 Comments

Qyteti i Gjakovës i njohur për traditën që ka në fushën e arsimit dhe të kulturës ndër shekuj, në mbarim të viteve të shtatëdhjeta të shekullit të kaluar u pasurua edhe me mediumin e parë radiofonik, “Radio Gjakovën”, që u themelua nga Kuvendi i komunës.

Nga kjo periudhë e konstituimit të radiostacionit të parë në Gjakovë e deri më sot, kanë rrjedhur shumë ngjarje me të cilat është e lidhur ngushtë Radio Gjakova, duke qenë pjesë e përditshmërisë gjakovare, ashtu siç është e lidhur edhe historia e qytetit për tri dekada, nga se frymëmarrja e qytetit është pasqyruar përmes emisioneve dhe programeve të përgatitura në këtë medium informativ dhe argëtues.

Radio-Gjakova, filloi të dëgjohet në eter më 9 Nëntor të vitit 1979 si medium i parë i informimit lokal në Gjakovë. Që nga ajo ditë, zëri i Radio-Gjakovës u bë pjesë e pandashme e përditshmërisë gjakovare, duke pasqyruar në mënyrë të denjë dhe të besueshme realitetin dhe rrjedhën e ngjarjeve në komunë, deri më 1991 kur nga forcat serbe u dëbuan me dhunë nga puna, duke u imponuar qytetarëve të Gjakovës, me afro 97 % shqiptarë, radio program në gjuhën serbe.

Me hyrjen e forcave të NATO-S në Kosovë dhe të UÇK-së, më 14 Qershor 1999, Radio Gjakova ishte e para radio në Kosovë, që rifilloi punën duke i dhënë kështu popullatës një ndihmesë të madhe, në të gjitha drejtimet, në fazën e emergjencës.

Radio Gjakova, sot, funksionon në kuadër të OJQ “GJAKOVA” me seli në Gjakovë, e themeluar më 3 Shtator 2001. Themelues të kësaj organizate janë punëtorët e Radiostacionit lokal “Radio Gjakova”, i cili me plot sukses, po arrin të kryej misionin për informim të drejtë dhe me kohë të dëgjuesve.

Comments are closed.