.
Published On: Sat, Mar 17th, 2018

Rreth 320 nxënës iu nënshtruan testit “Kangaroo 2018”

Share This
Tags

Rreth 320 nxënës të rajonit të Gjakovës, përfshirë komunën tonë dhe ato të Rahovecit e Malishevës iu nënshtruan testimit ndërkombëtar në lëndën e matematikës në garën e famshme “Kangaroo”.

Nxënësit që u bënë pjesë e këtij testi e që u mbajt në shkollën “Zekeria Rexha” ishin nga klasa e dytë deri në të 12-ën të ndarë në tre grupe të ndryshme si dhe me detyra të ndara sipas kategorive të klasave. Nxënësit kishin 90 minuta kohë të zgjidhin problemet matematikore.

Koordinatori për Gjakovën i këtij testimi, Pleurat Rudi, tha se formati i testit “Kangaroo” i jep mundësinë nxënësve të kuptojnë si bëhet interpretimi i lëndës së matematikës në jetën e përditshme.

Për të parë si po shkon testimi, nxënësit i vizitoi edhe drejtori i Arsimit, Bernard Frrokaj. Ai u shpreh se është mirë që nxënësit bëhen pjesë e testimeve të tilla pasi duke garuar me nxënës të vendeve të tjera nxjerrin më të mirën nga vetja.

Kjo është hera e dytë që në Kosovë mbahet testi “Kangaroo”. Vitin e kaluar, Gjakova kishte dalë e dyta në nivel vendi duke bërë që 11 nxënësit me rezultate më të mira të vijojnë një kurs 15-javor së bashku edhe me 60 nxënës të tjerë me profesorë të njohur ndërkombëtarë të matematikës.

Këtë vit, koordinatori Rudi tha se urojnë që të dalin të parët. Të njëjtin testim në gjithë vendin iu nënshtruan rreth 7 mijë nxënës, ndërsa 600 mijë në 82 shtete të botës. Rezultatet e testimit do të komunikohen gjatë muajit të ardhshëm. /radiogjakova/