.
Published On: Tue, Jun 26th, 2018

Qeveria vendos për themelimin e Zonës Ekonomike Amerikane në Gjakovë

Share This
Tags

Qeveria e Kosovës e miratoi të martën propozimin për të themeluar Zonën e veçantë Ekonomike Amerikane në Gjakovë.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se lokacioni ishte zgjedhur nga Grupi Punues i ngritur për këtë çështje, ndërsa themelimin e zonës e ka quajtur lajm të mirë për ekonominë e vendit.

Sipas tij, në këtë zonë, investitorët amerikanë do të gëzojnë kushtet e përshtatshme për aktivitetin e tyre. Haradinaj tha se do të bashkëpunojnë edhe me USAID-in, ndërsa ky vendim i hap rrugën për të bërë planin e fizibilitetit.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi kryetarit të Gjakovës, Ardian Gjini. Vendimin për themelimin e Zonës Ekonomike Amerikane në Gjakovë ai e quajti vendimin të madh e lajm të jashtëzakonshëm për Gjakovën.

Gjini njoftoi se janë ndarë rreth 500 hektarë tokë në një pjesë të përshtatshme në Rezina për jetësimin e këtij projekti. Kreu komunal u shpreh se këtë vendim duhet ta konsiderojmë si faqen e parë të një kapitulli të ri për Gjakovën, të një kapitulli të gjatë të zhvillimit në kushte të ekonomisë së tregut.

“Kjo zonë ekonomike do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në zhvillim në të gjitha fushat e jetës. Na mbetet të angazhohemi dhe të arrijmë sa më shumë benefite për qytetarët tanë në vitet që vijnë”, u shpreh Gjini.

Për këtë vendim, ai falënderoi administratën komunale për të cilën tha se kanë punuar për 4 muaj si dhe kryeministrin Haradinaj./radiogjakova/