.
Published On: Thu, Feb 15th, 2018

Qendra më e madhe rekreative për të rinj në rajon do të ndërtohet në Pjetërshan

Share This
Tags

Gjakova do të bëhet me qendrën më të madhe rekreative për fëmijë dhe të rinj në rajon. Kjo qendër do të ndërtohet në fshatin Pjetërshan dhe është një projekt në partneritet që udhëhiqet nga organizata YMCA.

Ministria e Kulturës do të jetë njëra nga mbështetëset, por do të ketë edhe partnerë amerikanë, finlandezë, danezë etj. Toka ku do të ndërtohet kjo qendër tashmë është në pronësi të organizatës YMCA dhe kjo jo pa qëllim.

Kjo qendër ka një strategji të qartë 100-vjeçare dhe pavarësisht ndryshimeve në pushtet, misioni i kësaj qendre nuk ndryshon, por nuk i jep mundësi askujt të ndërhyjë në punën e saj.

Fëmijët dhe të rinjtë që do të jenë në këtë qendër do të kenë mundësi të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme, do të jetë një qendër pushimi por me mundësi për të mësuar gjëra të reja, pra një qendër e edukimit jo formal.

Në këtë qendër synohet të punohet me një model pune që nuk është parë deri më tani as në Ballkan. Për këtë arsye shumë të rinj nga organizata YMCA viteve të fundit kanë shkuar në Angli për t’u përgatitur, pasi nuk ka kuadro të edukimit jo formal.

Kjo qendër do të jetë pikëtakim edhe për diasporën dhe do jetë një simbol për paqe për Ballkanin, pasi këtu pritet të vijnë edhe të rinj nga shtetet e rajonit.

Ministria e Kulturës ka njoftuar se Komuna e Gjakovës nuk do të ketë asnjë obligim financiar në këtë projekt, por kanë bërë kërkesën që të ndihmohet me infrastrukturën përcjellëse duke asfaltuar rrugën që të çon deri në këtë qendër për çka kanë marrë premtimin se do të realizohet./radiogjakova/