.
Published On: Thu, Feb 8th, 2018

Premtimi i Gashit: Më shumë mbështetje për kulturën në Gjakovë

Share This
Tags

Gjakova në të kaluarën njihej për një kalendar më të pasur kulturor. Shumë festivale apo aktivitete të tjera kulturore vitet e fundit nuk mbahen në mungesë të mbështetjes financiare nga Ministria e Kulturës.

Edhe ato pak festivale që aktualisht janë tradicionale në Gjakovë kanë gëzuar pak mbështetje. Gjatë takimit të tij, ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, për mikrofonin e Radio Gjakovës premtoi se kjo do të ndryshojë.

Ai tha se po punohet që të shfuqizohet rregullorja aktuale për mbështetjen e festivaleve pasi ka shumë burokraci. Gashi gjithashtu njoftoi se kanë rritur me mbi 1 milion euro fondin për financimin e aktiviteteve kulturore dhe festivalet në Gjakovë do të gëzojnë më shumë mbështetje financiare.                                              

Një tjetër shqetësim për Ministrinë e Kulturës mbetet edhe menaxhimi jo i mirë i objekteve të trashëgimisë kulturore. Në Gjakovë ka shumë të tilla.

Ministri Gashi tha se viti 2018 do të jetë vit i trashëgimisë kulturore me veprime konkrete. Sipas tij, inspektorët do të jenë në terren për të mbikëqyrur gjendjen e objekteve, ndërsa do të punohet që këto asete të trashëgimisë t’i kthejnë edhe në zhvillim të turizmit dhe zhvillim ekonomik.

Në fund, ministri Gashi premtoi se Gjakova do të ketë kujdesin e ministrisë së tij edhe në fushën e sportit dhe të rinisë./radiogjakova/