.
Published On: Fri, Dec 15th, 2017

Nxënësit e nisin pushimin dimëror në janar

Share This
Tags

Këtë vit shkollor, ndryshe nga herët e tjera, pushimi dimëror për nxënësit nis pas Vitit të Ri, saktësisht më datë 3 janar dhe zgjat deri më 12 janar.

Nxënësit e mbyllin gjysmëvjetorin e parë sot dy javë më 29 dhjetor, ndërsa kthehen për të nisur gjysmëvjetorin e dytë më 15 janar. Ndryshimet në kalendarin e punës janë bërë për të shmangur të ftohtin dhe acarin që zakonisht përfshin muajin e parë të vitit.

Ky ndryshim është mirëpritur edhe në shkollën fillore “Mustafa Bakija”. Drejtoresha Zana Kurtishi-Rudi, duke kujtuar përvojën e vitit të kaluar me shtyerjen e gjysmëvjetorit të dytë, tha se ky vendim është pozitiv.

“Si vendim ka qenë i mirëpritur. Vitin e kaluar kemi vuajtur pasi humbëm dy javë kohë deri në nisjen e gjysmëvjetorit të dytë dhe Ministria e Arsimit deri në fund të vitit tentoi dhe ia dolëm të zëvendësojmë orët e humbura, por gjithsesi kjo nuk është zgjidhje”, u shpreh ajo.

Drejtoresha Rudi shtoi se duke i lënë pushim nxënësit në pjesën e parë të muajit janar, kujdesemi që ata të mos i ekspozohen rreziqeve të mundshme që vijnë nga ngricat apo gripi.

“Ne, duke i falënderuar Ngrohtores së Qytetit e kemi shumë ngrohtë në shkollë, por për fëmijët, për ardhjen dhe largimin nga shkolla, për shëndetin e tyre, është më mirë që pushimi të jetë deri më 12 janar”, deklaroi Rudi.

Drejtoresha e shkollës “Mustafa Bakija” tha se ndryshimet në kalendarin e punës nuk kanë sjellë ndonjë problem në planin mësimor, pasi të gjitha ishin planifikuar në fillim të këtij viti shkollor.

Ndryshe, sa i përket pushimit pranveror, ai do të jetë nga data 2 deri më 6 prill 2018. Përfundimi i vitit shkollor për klasët e nënta bëhet më 1 qershor, ndërsa nivelet e tjera më të ulëta më 20 qershor 2018./radiogjakova/