.
Published On: Sun, Sep 17th, 2017

Munishi bën bilancin e 5 javëve të para: Mund të kishim më shumë pikë!

Share This
Tags

Ismet Munishi nuk do të largohet nga Vëllaznimi. Një postim në rrjetet sociale bëri që të ngrisë dyshime mbi të ardhmen e trajnerit të skuadrës gjakovare, por të gjithë diskutimin e mbyll vet ai.

“Dorëheqje? Jo nuk vjen në shprehje. Ishte më shumë për të inkurajuar tifozët që të vijnë në stadium. Isha shumë i kënaqur me përkrahjen e publikut që krijuan një atmosferë të jashtëzakonshme”, tha Munishi pas ndeshjes me Ferronikelin.

Barazimi pa gola ishte i dyti për këtë javë pas atij 1-1 në Gjilan. Me pak fat kuqezinjtë mund t’i gëzoheshin 6 pikëve në këtë javë, në rast se gjilanasit nuk do të barazonin në minutat e fundit, ndërsa të paktën një nga tentimet ndaj Ferronikelit të prekte rrjetën.

Megjithatë, pas 5 javëve, Vëllaznimi ka 2 fitore, 2 barazime e një humbje duke grumbulluar 8 pikë dhe qëndron në vendin e e 5 në renditje.

Munishi bën bilancin e 5 ndeshjeve të para dhe mendon se mund të kishin më tepër pikë, por thotë se skuadra është në rrugën e duhur.

“Në bazë të rrethanave dhe kushteve, mendoj se është një sukses. Disa kanë menduar se ne do të jemi në fund të renditjes, kanë qenë gabim. Ne jemi mobilizuar dhe kemi punuar fort. Ndoshta kemi merituar të kemi më shumë pikë në bazë të paraqitjeve, mirëpo jemi të kënaqur”, thotë Munishi.

Ai bën edhe një analizë të kampionatit kosovar. “Është një kampionat interesant. Të gjitha skuadrat janë të organizuara dhe janë përforcuar, kemi trajnerë e lojtarë që kanë ardhur nga vendet e rajonit, që është pozitive. Mendoj se po ngrihet edhe cilësia”, u shpreh ai.

Për t’ju kthyer ndeshjes ndaj Ferronikelit, Munishin e gëzon angazhimi i futbollistëve, ndërsa thotë se rezultati ishte i drejtë.

“Kishim përballë një kundërshtar të fortë, por lojtarët treguan karakter dhe luftuan deri në fund. Jam i lumtur me angazhimin. Ferronikeli është një nga skuadrat që ka treguar vazhdimësi, kanë lojtarë cilësorë e një trajner të cilin e respektoj. Në fund, mendoj se barazimi ishte epilog real. Në ato raste që kishim nuk u treguam të qartë, bëmë disa gabime dhe na duhet të përmirësohemi”, tha Munishi./radiogjakova/