.
Published On: Fri, May 19th, 2017

Kusari-Lila e Zharku inspektojnë investimet në infrastrukturë

Share This
Tags

Kryetarja Mimoza Kusari-Lila e shoqëruar nga ministri në detyrë i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, vizituan disa nga rrugët të cilat janë asfaltuar, janë në punim e sipër apo pritet të nisin këto ditë.

Fillimisht, ata inspektuan punimet në rrugën “Petro Nini Luarasi”, rrugë kjo e cila lidhë rrugën Tranzite me Ngrohtoren e Re të qytetit, konkretisht me lagjen “Rezina” apo Gjakovën e Re. Kjo rrugë në gjatësi prej rreth 600 metrash është bashkëfinancim në mes të Komunës së Gjakovës dhe Ministrisë së Infrastrukturës.

Pas kësaj, Kusari-Lila dhe Zharku kanë qëndruar në fshatin Bishtazhin, ku bashkë me banorët e këtij fshati kanë inauguruar rrugën e re mbi 1 kilometër, rrugë e cila ka lidhur një pjesë të këtij fshati me shkollën si dhe me zyrën e vendit.

Kusari-Lila dhe Zharku kanë qëndruar edhe në fshatrat Demjan, konkretisht lagjen “Sejdaj” si dhe fshatin Rogovë, me ç‘rast kanë inspektuar fillimin e punimeve në rrugën e lagjes “Sejdaj” dhe rrugën Rogovë-Dedaj, dy investime këto mjaft të rëndësishme për banorët.

Kryetarja Mimoza Kusari-Lila dhe ministri Zharku kanë thënë gjatë këtyre vizitave se këto rrugë nuk janë të vetmet, pasi komuna dhe ministria përkatëse kanë edhe projekte të tjera të përbashkëta, të planifikuara të nisin ditëve në vazhdim.