.
Published On: Thu, Mar 15th, 2018

Kujtohet Yll Morina, shkolla me emrin e dëshmorit shënon ditën e saj

Share This
Tags

Në shenjë kujtimi dhe nderimi për veprën e heroit të Kosovës, Yll Morina, në 19-vjetorin e rënies në luftë ballë për ballë me forcat e okupatorit serb, në mëngjesin e së enjtes në varrezat e dëshmorëve në Gjakovë janë organizuar homazhe.

Me këtë rast familjarë, bashkëluftëtarë pastaj përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e bashkëqytetarë kanë vendosur kurora me lule mbi varrin e heroit Yll Morina, duke nderuar sakrificën sublime të tij për lirinë e Kosovës.

Homazhe dhe kurora me lule ka vendosur edhe një delegacion i Kuvendit të Komunës së Gjakovës, në krye me nënkryetarin, Ramadan Hoti.

Pikërisht në këtë ditë shkolla në Gjakovë e cila mban emrin e heroit të Kosovës Yll Morina, po shënon ditën e shkollës. Përpos një programi kulturo artistike të prezantuar nga nxënësit e kësaj shkolle, u ngrit lartë edhe figura e heroit.

Drejtori i shkollës, Berat Bejtullahu, tha se duke arsimuar brezat e rinj ne nderojmë luftën e Yllit dhe të gjithë luftëtarëve të tjerë. Ai u shpreh se mësimdhënës, prindër e nxënës duhet të japin kontributin e tyre për të arritur këtë qëllim.

I pranishëm në festën e shkollës ishte dhe kryetari Ardian Gjini. Ai deklaroi se dhimbja për humbjen e Yllit është shndërruar në krenari. Gjini shtoi se kemi akoma punë për të bërë jo vetëm në arsim, por në të gjitha fushat, për të çuar në vend amanetin e dëshmorëve.

Drejtori i Arsimit, Bernard Frrokaj, u shpreh se kjo vatër arsimore gjithmonë ka nxjerrë emra të mëdhenj që kanë dhënë shumë për Kosovën, prandaj pret që kështu të jetë edhe në të ardhmen falë angazhimit të të gjithë mësimdhënësve./radiogjakova/