.
Published On: Sun, Dec 31st, 2017

Ja emri dhe mbiemri më i shpeshtë në Gjakovë

Share This
Tags

Agjencia e Statistikave të Kosovës për herë të parë publikoi një raport që ofron të dhëna për emrin dhe mbiemrin më të shpeshtë në Kosovë dhe shtrirjen e tyre në komuna me bazë popullsinë rezidente nga Regjistrimi i Popullsisë i vitit 2011.

Kështu, në komunën e Gjakovës, emri më i shpeshtë është Drita, emër të cilën e gëzojnë rreth 400 femra, pastaj Afërdita që e mbajnë 347 persona, Ali dhe Egzon që e gëzojnë nga 329 meshkuj dhe Arben 321 që e mbajnë 321 persona.

Ndërsa mbiemri më i shpeshtë është Krasniqi të cilën e mbajnë 2769 persona. Pesëshen e mbiemrave më të shpeshtë e plotësojnë mbiemrat Berisha që e mbajnë 2498 persona, Morina 2063 persona, Shala 1789 dhe Gashi 1631 të tjerë.

Varësisht prej periudhave që ka kaluar vendi, ka ndryshuar edhe trendi i emrave më të shpeshtë. Në periudhën e fundit të regjistrimit, pra nga viti 2001 deri më 2011, emri më i shpeshtë në Gjakovë është Dion.

Për periudhën 1991-2000, emri më i shpeshtë në Gjakovë ka qenë emri Egzon, për periudhën 1981-1990 Valon, për periudhën 1971-1980 Bekim, për periudhat 1961-1970 dhe 1951-1960 Drita, për periudhën 1941-1950 Zoje dhe për periudhën 1940 e më parë Marte.

Ndryshe, në nivel vendi, bazuar në të dhënat e disponueshme numri i emrave që janë të ndryshëm në Kosove është gjithsej 68.122 emra. Emri më i gjatë, pra me më së shumti shkronja, në Kosovë ishte Ismailqemail dhe Mirandolinda me gjithsej 12 shkronja. Emri me i shkurtër ishte Ad dhe Al.

Sipas alfabetit me shkronjën A kishte më së shumti emra gjithsej 8026 emra, ndërsa më së paku emra kishte emra që fillonin me shkronjën C gjithsej 407 emra.

Emri me i shpeshtë në Kosovë tek femrat ishte emri Fatime me gjithsej 8626 persona që mbajnë këtë emër. Emri me i përbashkët në Kosove tek meshkujt ishte emri Bajram.

Numri i mbiemrave të ndryshëm në Kosovë është gjithsej 26.557 mbiemra. Krasniqi është mbiemri më i përbashkët në vend ku mbi 58.199 persona mbanin këtë mbiemër.

Sa i përket lindshmërisë, muaji më pjellor është Maji ku kanë lindur 9.8% e popullsisë në komunën e Gjakovës, i ndjekur nga muaji Mars me 9.1% dhe muaji Prill 8.9%. Muaji në të cilin ka më pak lindje sipas ASK-së është Dhjetori me 6.7%.

Stina më pjellore në Gjakove është pranvera me 27.6% të lindjeve, pastaj vjen dimri me 25.2% të lindjeve, vera me 24.9% dhe vjeshta me 22.4% të lindjeve./radiogjakova/