.
Published On: Mon, Sep 25th, 2017

Haradinaj premton investime në Gjakovë

Share This
Tags

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pasditen e së hënës qëndroi në Gjakovë në mbështetje të kandidatit për kryetar të komunës së Gjakovës nga AAK, Ardian Gjini.

Ky i fundit tha se ka ardhur një mundësi e artë për komunën e Gjakovës që të qeveriset nga AAK dhe të realizohen projektet më të mëdha.

“Ne do të punojmë të gjithë bashkë për një komunë më të mirë. Kryeministri Haradinaj i do të gjitha komunat e Kosovës, por ai e di se Gjakova ka nevojë për mbështetjen e madhe të tij dhe ne do ta kemi. Kryeministri vetëm ka nisur me projektet për Gjakovën e do të vazhdojë me të tjerat pas 23 tetorit”, tha Gjini.

Kryeministri i Kosovës, Haradinaj, tha se në Gjakovë do të investohen projekte të mëdha për të përmirësuar jetën e qytetarëve.

“Kam kërkuar që aksi Gjakovë-Klinë të shikohet me prioritet. Ajo rrugë do të zgjerohet dhe do të bëhet me katër korsi. Kemi lumenjtë të cilët kanë nevojë për investime, kemi shumë projekte që lidhen me Gjakovën nga fusha arsimit, shëndetësisë etj, që kanë ardhur si kërkesa të qytetarëve”, tha Haradinaj.

Në këtë tubim mori pjesë edhe ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj që tha se ndryshimi ka filluar në Kosovë e do të vazhdojë në Gjakovë me fitoren e Ardian Gjinit më 22 tetor.

“Ndryshimi ka nisur me qeverisjen e Kryeministrit Haradinaj, por do të fuqizohet me marrjen e pushtetit lokal në Gjakovë nga Ardian Gjini. Ne do të jemi afër jush në çdo segment të jetës që t’ju mbështesim”, tha Lekaj.

Në këtë takim, përpos përfaqësuesve të kësaj partie nga niveli qëndror dhe lokal, morën pjesë deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe kandidatët për Asamblenë komunale./radiogjakova/