.
Published On: Tue, Dec 12th, 2017

Gjini viziton “Ngrohtoren” dhe “Çabratin”

Share This
Tags

Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, të martën zhvilloi dy takime në dy ndërmarrjet publike “Ngrohtorja e Qytetit” dhe atë “Çabrati”.

Duke qenë se i ftohti ka mbërritur dhe jemi në prag të stinës së dimrit, këto dy ndërmarrje duhet të jenë të gatshme për ta kaluar këtë stinë sa më të përgatitur.

Në “Ngrohtore…”, Gjini u prit nga drejtori i kësaj ndërmarrje, Admir Shala, ndërsa të dy ranë dakord që puna për Ngrohtoren e re duhet të përshpejtohet.

Duke folur për investime në rrjet, Gjini tha se duhet bërë kujdes që investimet të jenë afatgjate në mënyrë që të mos ketë ndërhyrje të shpeshta infrastrukturore.

Në kompaninë “Çabrati”, Gjini u prit nga bordi dhe stafi tjetër udhëheqës. Kryetarja e bordit, Ardita Rizvanolli tha se kanë arritur të shlyejnë të gjitha detyrimet që kanë pasur si kompani.

Kryetari i komunës në këtë takim foli për problemet në tenderim për pastrimin dimëror të rrugëve. Ai tha se Gjakova mund të mos ketë një kompani kontraktuese deri në pranverë, por sipas tij, po kërkohen zgjidhje në rast emergjencash.

“Kemi pasur probleme me tenderin për pastrim dimëror, ka pasur ankesa dhe tani nuk do të hapet deri më 27 dhjetor, kjo është gabim sepse nuk mund të kemi një kompani kontraktuese deri në pranverë. Do të kujdesemi që kjo të mos përsëritet. Kemi kontaktuar me institucione relevante dhe kompani private, por edhe me ‘Çabratin’ për të shikuar mundësitë që në rast emergjencash të mos mbesim të bllokuar”, deklaroi Gjini.

Në të dy takimet e tij të para si kryetar komune, Gjini tha se Komuna do të bashkëpunojë ngushtë me këto dy kompani në mënyrë që ato të ofrojnë shërbime cilësore, ndërsa japi mesazhin që të rikthehen energjitë në mënyrë që të bëjmë punë më të madhe për komunën./radiogjakova/