.
Published On: Fri, Oct 25th, 2013

“Gjakova i ka punët keq për faj të politikës”

Share This
Tags

nagavci-krasniqiGjakovë- Lëvizja Vetëvendosje mbajti tubim në shkollën “Kelmend Rizvanolli” ku qytetarëve të pranishëm iu drejtuan kandidatja për kryetare të Komunës, Arbërie Nagavci dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Florin Krasniqi.

Arbërie Nagavci shpalosi programin Lëvizjes Vetëvendosje për arsimin, kulturën, rininë dhe sportin. “Shumë shqetësues është manipulimi në arsim, si partizimi e nepotizmi, të cilët po dëmtojnë arsimin në qytetin tonë. Arsimi cilësor do të kthehet gjatë mandatit të Vetëvendosjes, sepse këto dukuri do të ndalen”, tha Nagavci, duke shtuar se shumë organizata që kanë qenë të interesuara për investime janë larguar nga keqpërdorimet dhe nga keqmenaxhimi, “por ne garantojmë se do t’i rikthejmë ato”.

Më tej, kandidatja për kryetare të komunës tha se sporti dikur ka qenë krenari për Gjakovën, ekipet sportive kanë garuar në ligat më të larta. Ndërsa tani në mungesë të ideve për menaxhim disa klube të Gjakovës janë shuar fare. “Ne sportit do t’i krijojmë kushte. Do të krijomë gara të reja dhe do të përkrahim talentet e rinj, duke investuar në shkollat ku janë të ata”, përfundoi Arbërie Nagavci.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Florin Krasniqi tha se Gjakova ka pasur gjithmonë zhvillim dhe njerëz të dëshmuar. “Takimin e parë e pata në fshatin tim dhe jo rastësisht e zgjodha Gjakovën të jem menjëherë pas fshatit tim. Unë nuk e dalloj Gjakovën nga vendlindja ime, sepse Gjakova njëjtë si fshati im, është vend me njerëz punëtor, me kuadro e me njerëz atdhetar. Jo rastësisht Gjakovën e kanë dëmtuar dhe djegur gjithmonë armiqtë, sepse kanë dashur ta dëmtojnë ekonominë, inteligjencën dhe njerëzit punëtor”, u shpreh Krasniqi, duke shtuar se sot Gjakova është ndër vendet më të varfra dhe me më së shumti papunësi. “Dhe faj për të gjitha këto ka politika, e këtë politikë duhet ndryshuar. Tani e keni mundësinë që ndryshimin ta bëni nëpërmjet Arbërie Nagavcit dhe Lëvizjes Vetëvendosje”, përfundoi Krasniqi.