.
Published On: Fri, Mar 23rd, 2018

Gjakova bëhet me stacion meteorologjik

Share This
Tags

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me rastin e Ditës Botërore të Meteorologjisë, me moton “Moti-gati, klima-zgjuar”, bëri inaugurimin e Stacionit Meteorologjik Automatik në Skivjan të Gjakovës.

Në ceremoninë inauguruese, në emër të ministres Albena Reshitaj mori pjesë zv.ministri Fatmir Matoshi i cili deklaroi se klima dhe moti janë pjesë shumë e rëndësishme e proceseve zhvillimore të një vendi, prandaj duke e forcuar shërbimin e meteorologjisë dhe klimatologjisë ne do të përmirësojmë edhe procesin e vendimmarrjes dhe planifikimit për zhvillimet e ardhshme.

“Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, tani më është edhe anëtar i rregullt i Rrjetit Evropian për Paralajmërime të Vërshimeve EFAS, dhe pjesëmarrës në aktivitetet e Organizatës Botërore të Meteorologjisë (WMO), sikurse është programi për krijimin e një platforme të përbashkët për Evropën Juglindore (regjionin e VI) në lidhje me parashikimin dhe paralajmërimin e rreziqeve nga fatkeqësitë e ndryshme natyrore”, tha Matoshi.

Në këtë ceremoni pjesëmarrës ishin edhe drejtoresha e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës Letafete Latifi, zyrtarë tjerë të MMPH-së, dhe zyrtarë të Komunës së Gjakovës.

Me këtë projekt do të bëhet regjistrimi i disa parametrave meteorologjik siç janë: Temperatura e ajrit, lagështia, shtypja atmosferike, reshjet si dhe drejtimi dhe shpejtësia e erës.