.
Published On: Sat, May 11th, 2013

Genc Hoxha, kur futbolli të mbron jetën

Share This
Tags

genc-hoxha-2Gjakovë- Atë natë prilli të vitit 1999, vetëm në një lagje të qytetit, u vranë rreth 60 kosovarë. E, ai ndoshta shpëtoi vetëm se e dinte një emër futbollisti. Se i kujtohej që Oleh Blokhin në vitet e 70-ta luante për ish-Bashkimin Sovjetik.

Oleh Blokhin dikur ka qenë Lionel Messi i Europës. Fitues i kupave dhe i çmimeve të futbollit. Ylli i fushave të gjelbra dhe tifozëve. Por ai ndoshta s’e ka idenë që shumë larg prej shtëpisë së tij në Ukrainë, në këndin tjetër të Europës, ai është edhe ylli që ndriçoi fatin e një kosovari në një natë të tmerrshme prilli.

Më 1999 jeta e ish-futbollistit Genc Hoxha, tash 56 vjeçar, u var për emrin e këtij sovjetiku që luajti në vitet ’70-të dhe ’80-të. Në kohën e gjermanit Franz Beckenbauer e francezit Michel Platini.

Oleh Volodymyrovych Blokhin, më vonë trajner i kombëtares ukrainase kurse deri në vitin 2012 edhe i ekipit të FC Dinamo Kyiv, më 1975 mori “Topin e artë” si lojtari më i mirë në Europë. Ishte i dyti në ish-Bashkimin Sovjetik dhe i pari nga Ukraina që fitoi këtë vlerësim.

Një çerek shekulli më vonë, mbrëmjen ndërmjet 1 dhe 2 prillit 1999, në Gjakovë, një person që luftonte krahas forcave serbe, të cilin i mbijetuari e identifikon si rus, bënte pjesë në grupin pushkatues.

“Më tha ‘nuk dua të të mbys’”, rikujton Hoxha për Gazetën Jeta në Kosovë. “Ushtari qëlloi në ajër. Më tha ‘ik!’”.

Kjo natë qe shumë e gjatë për gjakovarët. Shumë syresh u depërtuan në kolonë nga forcat serbe drejt Shqipërisë, por më fatkëqijtë u pushkatuan. Genc Hoxha për pak sa nuk u shndërrua njërin syresh.

Natën, krejt nisi me thyerjen e dyerve të shtëpisë me dhunë nga forcat serbe. Hoxha qëndronte me gruan, tre fëmijët, prindërit dhe gjyshen. “Na nxorën jashtë, e mua më mbështetën për muri me automatik te koka”, rikujton Hoxha. “Bërtitën ‘via za Albanija”.

Derisa familjarët përpëliteshin të gjenin daljen nën britmat e pjesëtarëve të forcave serbe që nuk linin të merret as një çantë me ushqime, ai që i mbante automatikun te koka i fliste në një gjuhë tjetër.

“Për një moment një ushtar më pyeti në serbisht nëse në shtëpi ishte edhe dikush tjetër”, thotë ish-futbollisti kosovar. “Jo, u thashë!”. Familjarët tani i kishin nxjerrë nga shtëpia. Ushtari ia mbante Hoxhës tytën pas koke, por filloi ta pyeste se çfarë ishte me profesion.

“E kuptova fjalën ‘profesion’ kur e përmendi sepse gjuha ishte si rusisht”, tregon ai. “I thashë ‘jam futbollist’”. Në vitet e 80-ta e fillimin e nëntëdhjetave, Hoxha luante në Gjakovë e Prizren. Më vonë punoi edhe si trajner i Besës së Pejës e ndihmës trajner i përfaqësueses së Kosovës në futboll.

Përveç pëshpëritjes “futballer”, Hoxha ia kishte përmendur ushtarit pyetës edhe emrin e lojtarit të njohur ukrainas. “I thashë ‘Oleh Blokhin’”, kujton Hoxha. Ndoshta, supozon ai, ushtari e kishte pyetur i nxitur nga mënyra se si ishte i veshur. “Isha në trenerka (veshje sportive)”.

“Ia përmenda atë emër sa për t’i treguar se me çfarë merrem unë”, rikujton ai. “Pastaj më çoi në rrugën pranë…”. Aty ushtari kishte shtënë dy herë në ajër dhe në gjuhën e tij, që Hoxhës i kishte ngjarë me rusisht, i kishte thënë “ik!”.

Lagjja e tij, afër stacionit të autobusëve, si edhe e tërë Gjakova, rrëfen ai, atë natë kishte nisur të zbrazej. Të gjithë lëviznin drejt Shqipërisë. Mevlyde Saraçi, ish-deputete në Kuvendin e Kosovës, në vitin 2004, në një shkrim në shenjë përkujtimi për këtë natë, thoshte se gjatë asaj nate ishin vrarë gjashtëdhjetë persona.

Në atë shkrim ajo ka përmendur edhe emrat e të vrarëve të lagjes së emërtuar me numrin një. Lagjja 1. “Digjeshin shtëpitë bashkë me njerëz dhe askush nuk mund t’u dilte në ndihmë”, shkruante ndër të tjera Saraçi, në trepca.net.

Hoxha, atë natë, me familjen e shkapërderdhur e pa ditur se ku ishin, në fillim ishte strukur aty pranë. “E dëgjova kur ushtarin rus e pyetën të tjerët në serbisht për mua nëse ka mbaruar punë”, vazhdon ai. “Ai ua ktheu-‘po, u krye!’”.

Më vonë, oborr pas oborri e mur pas muri, kishte arritur të bashkohej me kolonën që ishte nisur drejt Shqipërisë. E gjatë rrugës edhe me familjen. Nga fqinjët e afërt kishte kuptuar se vërtet ishte shumë me fat.

“Fqinjët e afërt më treguan se atë natë ishin vrarë shumë njerëz të lagjes sonë”, thotë Hoxha. “Më treguan edhe për shtëpinë e djegur”. Hoxha thotë se tani ka vite që është larguar nga jeta sportive. Ai ka vendosur të mbajë vetëm punën e tij në zyrën e KEK-ut në Gjakovë.

Thotë se është bërë paska më i tërhequr nga jeta publike. “Jo se nuk mund të rri me shokë, por nuk di pse, nuk kam vullnet”, thotë ai. “Dikur kam bërë vrap. Tash, as vrap nuk bëj”./jnk/

Jeton Musliu