.
Published On: Fri, Aug 18th, 2017

Garë dhe argëtim, çiklistët e vegjël gjakovarë mësojnë nga përvoja italiane

Share This
Tags

Klubi i çiklizmit Gjakova 137 po synon që me binjakëzimin me një klub çiklistik italian të shtojë aktivitetin e vet.

Nisma tashmë po rrjedhë me një aktivitet atraktiv që do të mbahet të dielën në shkollën “Fehmi Agani”, ku çiklisti italian Françesko Galo po sjell përvojat italiane tek fëmijët gjakovarë pasionantë të çikletave.

Në këtë aktivitet që nis në ora 10:00 do të marrin pjesë nxënësit e moshave 7-12 vjeç dhe do të kenë mundësi të argëtohen duke treguar shkathësitë e tyre në ngasje të biçikletës me pengesa.

Me këtë rast, organizatorët ishin të ftuar në programin e mëngjesit të Radio Gjakovës ndërsa duke sqaruar qëllimin e këtij aktiviteti, kryetari i klubit të çiklizmit Gjakova 137, Agim Haxhija theksoi se kultura italiane në këtë sport ka pasur ndikim të madh në këtë bashkëpunim.

Haxhija gjithashtu njoftoi se çiklistët e vegjël italianë kanë bërë disa dhuratë për moshatarët e tyre gjakovarë të cilat do të shpërndahen pas garës.

Ndërkaq çiklisti dhe trajneri Françesko Galo tha se përvojat e tij nga puna me fëmijët italianë do t’i bartë tek fëmijët gjakovarë sepse sipas tij ky sport është shumë i rëndësishëm dhe i shëndetshëm për fëmijët./radiogjakova/