.
Published On: Mon, Sep 25th, 2017

Çaushi: Qeverisja aktuale nuk i arriti pritshmëritë

Share This
Tags

Lëvizja Vetëvendosje prezantoi 38 kandidatët e saj për Asamblenë komunale të Gjakovës. Në tubimin e organizuar pasditen e së hënës mori pjesë edhe kandidati për kryetar të komunës së Gjakovës, Driton Çaushi, kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri dhe deputetët e kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, Albin Kurti e Arbërie Nagavci.

Në fjalën e tij, Visar Ymeri, tha se ka ardhur koha që Gjakova të udhëhiqet nga Driton Çaushi dhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila sipas tij, do t’ia kthejë pushetetin qytetarëve. Ymeri shtoi se dikur Gjakova eksportone prodhimet e saj në Europë, ndërsa tani vetëm të rinj që largohen për një jetë më të mirë.

“Në Gjakovë dikur kishte fabrika e sot ka veç supermarkete e salla dasmash. Gjakova dikur eksportonte prodhimet e saj gjithandej nëpër Europë, dikur eksportonte edhe elktromotorë e sot vetem të rinjtë e Gjakovës dalin jashtë për të kërkuar punë. Me qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje të rinjtë e Gjakovës do të jenë ata që do ta ndërtojnë jetën këtu, në qytetin e tyre, në lagjen e tyre, me familjet e tyre, me shokët e tyre e me bashkëqytetarët e tyre”, u shpreh Ymeri.

Kandidati për kryetar të Gjakovës, Driton Çaushi, tha se program i tij është i ndërtuar mbi tre shtylla kryesore, arsimin, shëndetësinë dhe ekonominë. Ai kritikoi qeverisjen aktuale duke thënë se nuk i realizoi premtimet për të cilat mori votën e qytetarëve të komunës.

“Zotimi i parë që dua ta bëj është se nuk do të lejojmë rikthimin e ditëve të zeza ku qeverisja personifikohej me krimin dhe nepotizmin. Por, ne zotohemi se mundemi shumë më shumë se kaq. Qeverisja aktuale nuk realizoi ato që premtoi, nuk arriti pritjet e qytetarëve dhe shpresat që ishin zgjuar në vitin 2013. Vetëvendosje është i vetmi subjekt që mund t’i garantojë qytetarit se detyrat i marrin me seriozitet dhe angazhohemi për t’ju shërbyer atyre”, tha Çaushi.

Në këtë tubim foli edhe deputeti i VV-së në Kuvendin e Kosovës, Albin Kurti, që tha se me votën për Çaushin nuk do të fitojë subjekti, por gjakovarët dhe komuna e Gjakovës.

“Gjakova i ka dhënë shumë ekonomisë, historisë e kulturës së Kosovës, por pas çlirimit për Gjakovën nuk pati as çlirim, as drejtësi. Me Dritonin kryetar ne do t’ia shtojmë shoqërisë ekonominë, ekonomisë prodhimin dhe prodhimit arsimin se prodhimi i bënë njerëzit punëtorë dhe punëtorët qytetarë”, tha Kurti.

Ndërsa në fjalën e saj, deputetja Arbërire Nagavci, shtoi se Çaushi dhe Vetëvendosje në Gjakovë ka njerëzit e duhur për të udhëhequr me komunën dhe për ta shndërruar atë në vendin që duam të gjithë./radiogjakova/