.
Published On: Sat, Feb 10th, 2018

Borxhi, reagon Kusari-Lila: 13 mln euro janë kontrata 3-vjeçare me planifikim

Share This
Tags

Deklarimi i borxhit të Komunës së Gjakovës nga ana e kryetarit aktual Ardian Gjini përmes një konference ka ngjallur reagimin e paraardhës së tij, Mimoza Kusari-Lila.

Kryetarja e Alternativës pasi mohon të ketë lënë një shumë kaq të lartë të borxhit, thotë deklarimi i së premtes “është kapaku i injorancës dhe qasjes mashtruese të qeverisjes lokale dhe qendrore në Gjakovë dhe Kosovë”.

Kusari-Lila thekson se ato çfarë ka prezantuar Gjini janë planifikimet dhe buxhetim në vlerë prej 13 milionë euro dhe jo borxh.

“Borxhe janë të gjitha faturat e pranuara në Komunë me raporte dhe specifikacione të bashkangjitura, ndërsa ato deri në shtator të 2017-ës kanë qenë më pak se 1 milion apo 750 mijë euro”, deklaroi Kusari-Lila.

Sipas saj, borxhe dhe projekte pa mbulesë ka lënë qeverisja e AAK-së nga viti 2007 – 2013. Ajo ka thënë se borxhet e kësaj periudhë kanë qenë në vlerën e 6 milionë eurove, ndërsa 20 milionë euro të tjera kontrata të infrastrukturës pa mbulesë.

“Për këto që flet kryetari Gjini janë projekte të buxhetuara dhe paraqitura ne buxhetin e Komunës, pjesë e buxhetit të Kosovës. Nuk janë borxhe, janë kontrata 3-vjeçare me planifikim të mirëfilltë të buxhetit. Kryetarit dhe Komunës nuk i bën nder e pavërteta dhe mjegulla që medoemos duan ta shpërndajnë”, vijon Kusari-Lila.

Ajo ka thënë se për borxhet apo menaxhimin e saj fjalën e fundit do ta thotë raporti i auditorit të pavarur që pritet të publikohet në muajin maj./radiogjakova/