.
Published On: Wed, Sep 13th, 2017

Anulohet premiera e shfaqjes “Këngëtarja tullace”

Share This
Tags

Edhe pse përgatitjet kishin hyrë në fazën e fundit është anuluar premiera e Teatrit të Qytetit të Gjakovës “Këngëtarja tullace” e autorit Eugene Ionesco, regjia e të cilës i ishte besuar regjisorit Agon Myftari.

Jo zyrtarisht bëhet e ditur se shkak për anulimin e realizimit të kësaj drame të njohur është teksti i cili ishte i vështirë për t’u punuar, ndërkohë që nuk është e qartë pse një gjë e tillë nuk është konstatuar më parë, por në kohën kur kishin mbetur edhe dy javë para premierës.

Në këtë situatë, regjisori Myftari, në bashkëpunim me drejtorinë e Teatrit të Qytetit në Gjakovë ka vendosur për ndërprerjen e provave.

Nisur nga kjo, pritet që gjatë ditëve në vazhdim këshilli artistik të përcaktohet për një shfaqje tjetër, e cila sipas dinamikës së paraparë për realizimin e premierës së tretë të kësaj shtëpie teatrore, duhet të përgatitet me ritëm të përshpejtuar.

Sipas drejtorit të teatrit, Edi Kastrati, mund të ndodhë që megjithatë, drama “Këngëtarja tullace” prapëseprapë të jetë premiera e tretë e teatrit gjakovar./radiogjakova/