.
Published On: Thu, Apr 12th, 2018

Alternativa akuzon Gjinin: Favorizon njerëzit e partisë me leje ndërtimi

Share This
Tags

Dega e Alternativës në Gjakovë gjatë një konference për media të mbajtur pasditen e së enjtes akuzoi Komunën e Gjakovës për shkelje në dhënien e lejeve ndërtimore për katër muajt e fundit që kur në pushtet ka ardhur administrata e Gjinit.

Kryetari i Alternativës në Gjakovë, Gurakuq Dobruna tha se Drejtoria e Urbanizmit tashmë është rikthyer në shërbim klientelist të individëve dhe klaneve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

“Ndërtimi i objektit shumëbanimor me afarizëm në përdhesë me etazhitet B+P+8, në rrugën ‘Bujar Roka’ në afërsi të rrethit në drejtim të Prizrenit, dhe objektit shumë banimor në rrugën “Yjet e Erenikut” me etazhitet B+P+4+NK, konsiderohen shkelje e Planit Rregullues të zonës, Ligjit për Planifikim Hapësinor, dhe Ligjit për Ndërtim. Dhënja e kushteve ndërtimore të cilat nuk janë në përputhje me planin rregullues dhe vendosja e shpalljeve në rreze prej 50 metrave, duke mos respektuar dokumentacionet ligjore në fuqi nga ana e institucionit, konsiderohet shkelje”, deklaroi Dobruna.

Ai shtoi se Komuna e Gjakovës, përmes zyrtarëve të Drejtorisë së Urbanizmit, ka tendenca që në vazhdimësi t’ju jap leje ndërtimi edhe personave që ju është refuzuar kërkesa gjatë viteve të kaluara.

Gjithashtu, Dobruna deklaroi se gjatë 4 muajve të qeverisjes Gjini, kanë konstatuar se ka mbi ndërtime dhe devijime nga vijat rregullative ndërtimore në objektet për të cilat ekziston leja e ndërtimit. Sipas tyre, edhe këto shkelje që kanë ndodhur para syve të qeverisjes lokale, janë objekte të personave dhe militantëve të AAK-së.

Dobruna përmendi “objektin në afërsi të Urës së Taliqit, ku  objekti është bashkuar me urën edhe përkundër lejes së ndërtimit që e specifikon që objekti duhet të jetë largë disa metra, si dhe objektit në pjesën e ish-Bagigës i cili ka uzurpuar pronën publike duke e drejtuar gabaritin e objektit”.

Dobruna shtoi se duke shkelur planet rregullative, ligjet në fuqi dhe përmes dendësisë së banimit dhe mbindërtimeve, po zhvlerësohen pronat e qytetarëve të Komunës së Gjakovës që janë në afërsi të këtyre objekteve.

Në fund, Dobruna theksoi se Alternativa është në përpilim të kallëzimeve penale për Komunën e Gjakovës për këto shkelje./radiogjakova/