.
Published On: Wed, Feb 21st, 2018

Abuzimet që tentohen të bëhen në emër të riintegrimit

Share This
Tags

Procesi i riintegrimit për personat që kthehen nga vendet e Bashkimit Europian ballafaqohet me sfida të ndryshme.

Në Gjakovë, ky proces koordinohet mes Zyrës për Komunitete dhe Kthim e Departamentit për Riintegrim të Personave të Riatdhesuar pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Programi i riintegrimit është njëvjeçar kur personat e rikthyer përfitojnë nga asistenca, nëse nuk kanë banim mund të aplikojnë për strehim e të tjera mbështetje.

Shefi i Zyrës për Kthim në Gjakovës, Armend Behluli, thotë se ka të tillë persona që largohen nga vendi me idenë se kur të kthehen do të përfitojnë shtëpi, mirëpo sipas tij, i gjithë procesi ka rregulla. Madje ka të tillë që tentojnë të abuzojnë në emër të riintegrimit.

Ky program i jep përparësi personave që janë larguar nga Kosova para muajit Korrik 2010 dhe më pak atyre që janë larguar viteve të fundit e që kanë kaluar pak kohë jashtë Kosovës.

“Nuk mendoj se personat që janë larguar në vitin 2014 e janë kthyer në vitin 2015 kanë nevojë për riintegrim. Ata e njohin sistemin në Kosovë. Ne këtu flasim për persona që janë larguar në vitet ’90-ta, kur ka qenë një tjetër sistem dhe kthehen sot e nuk dinë të nxjerrin një certifikatë lindje. Ata që mendojnë se po ikim se kur të kthehemi shteti na bën me shtëpi janë gabim, prandaj ekzistojnë rregullat, kriteret etj.”, u shpreh Behluli.

Një prej aspekteve të riintegrimit të qëndrueshëm është mbështetja me plane biznesi në mënyrë që këta persona të gjenerojnë të ardhura dhe punësim për veten dhe familjarët e tyre.

Mirëpo Behluli thotë se jo të gjithë janë të prirë të respektojnë planin e tyre të biznesit pasi kanë marrë fondet. Për të parandaluar abuzimin, ministria ka nisur të angazhojë përmbarues privatë për të parë nëse mjetet po përdoren për qëllimet që janë marrë.

“Ka persona që marrin fonde deri në 3 mijë euro, jo vetëm nga programi ynë, por edhe me organizata të ndryshme, dhe abuzojnë me to. Nuk respektojnë planin e biznesit që e kanë paraqitur. Por, tani ministria ka angazhuar përmbarues që do t’ju shkojnë në derë për të parë nëse i kanë mjetet apo faturat në rregull. Ata tashmë kanë detyrime ligjore ndaj shtetit”, vijoi Behluli.

Përkundër ballafaqimit me raste të tilla, shefi i Zyrës për Kthim, shprehet se në Gjakovë ka mjaft shembuj pozitiv kur të rikthyerit nga vendet e Bashkimit Europian kanë ngritur biznese dhe sot jetojnë si qytetarët e tjerë rezidentë./radiogjakova/