.
Published On: Sat, Apr 25th, 2015

Kapen nxënësit që vodhën ditarët në “Mazllum Këpuska”

Share This
Tags

mazllum-kepuska-shkollaPersonat të cilët kishin thyer shkollën e mesme të ulët “Mazllum Këpuska”në Gjakovë dhe kishin vjedhur 8 ditarë janë kapur nga policia, dhe të njëjtit janë nxënës të po kësaj shkolle, ka bërë të ditur komandanti i stacionit policor, Krist Gjokaj.
Ditarët u vodhën në fillim të muajit prill, dhe menjëherë autoritetet e shkollës shfaqën dyshime se përgjegjësit duhet të ishin nxënës të kësaj shkolle.

“Lidhur me rastin e vjedhjes së 8 ditarëve në shkollën fillore “Mazllum Këpuska” ju konfirmoj se hetuesit policorë kanë arritur që rastin ta zbulojnë në tërësi, i cili është dëshmuar që e kanë kryer nxënësit të po asaj shkolle”, tha Gjokaj.

Ai shpjegoi se sipas dëshmitarëve, ditarët janë djegur dhe janë hedhur në lumin “Krena”, por pavarësisht kërkimeve për të gjetur prova, diçka e tillë ka rezultuar pa sukses ndaj është vepruar vetëm me anë të dëshmive që vetë kryerësit kanë konfirmuar.

Por pavarësisht angazhimit disajavorë të policisë mbi këtë çështje, keqbërësit nuk rrezikojnë pasoja penale për shkak të moshës së tyre.

I sapoemëruar drejtor i kësaj shkolle, Arbënor Pozhegu, tha për Kallxo.com se pas konsultimit me drejtorin e arsimit kanë marrë masa ndaj këtyre nxënësve.

“Ka ardhur deri te përfundimi se ata kanë qenë nxënës të kësaj shkolle dhe duke u bazuar në të gjeturat e policisë është dashur të ndërmerren masa, nxënësit e shkollës tonë është dashtë me u transferu në një shkollë tjetër, ne kemi kërkuar nga drejtoria e arsimit; pastaj ajo në bazë të masave që janë me ligj ika transferuar në shkolla të tjera të Gjakovës”, tha Pozhegu.

Nxënësit në fjalë, me urdhër të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt. Ditarët mësimorë mbajnë notat, mungesat, vërejtjet dhe shënime specifike për nxënësit dhe klasat e ndryshme, ndaj në mungesë të regjistrave elektronikë, zhdukja e tyre, mund të lirojë nxënësit nga telashe të ndryshme. /kallxo.com/