.
Published On: Sat, Mar 7th, 2015

Tahir Emra hap ekspozitën, dedikim Gjakovës

Share This
Tags

ekspozita-tahir-emraMe organizim të Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Gjakovës, të premten në mbrëmje janë mbajtur dy aktivitete kulturore që për personazh kishin një personalitet të shquar të artit, piktorin, profesorin dhe akademikun Tahir Emra. Në ambientet e “Kullës së Abdullah Pashë Drenit”, është mbajtur një bashkëbisedim me publikun për monografinë e piktorit Tahir Emra, që për autor ka piktorin dhe profesorin tiranas, me origjinë nga Gjakova, Kujtim Buza.

Kritiku dhe historiani i artit, Hivzi Muharremi, ka thënë se është moment i veçantë të flasësh për doajenin e pikturës dhe profesorin Tahir Emra, i cili është një emër i veçuar i artit pamor, pedagog i shumë gjeneratave, ku pjesa dërrmuese e tyre tashmë janë pedeagogë apo punojnë në institucione të ndryshme, e të cilët me pietet e vlerësojnë dhe e çmojnë profesorin Tahir Emra.

Në veçimin e tij për punën e kryer nga autori Kujtim Buza, i cili për shkak se gjendej në SHBA nuk ka mundur të ishte present në këtë mbrëmje, Hivzi Muharremi ka vlerësuar shumë punën e tij, duke pohuar se autori me përkushtim të madh e ka shkruar monografinë, e cila është e ndërtuar në bazë të gjashtë kapitujve, në të cilën përshkruhet krijimtaria artistike.

Në pjesën e dytë të aktivitetit me profesorin, krijuesin dhe akademikun Tahir Emra, me rastin e rihapjes së Galerisë së Arteve në ambientet e Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi”, është hapur ekspozita personale me tridhjetë piktura. Vet autori theksoi se kjo ekspozitë i dedikohet Gjakovës, vendlindjes së tij, duke filluar  me motive nga karakteristikat, si “Çarshia e Madhe”, që profesor Tahir Emra e quajti si një xhevahir, pastaj me motive nga rinia e tij, nga Çabrati, Ereniku, urat dhe kujtime të tjera.

“Në këtë mjedis gufojnë emocionet, nuk mund të përmbahesh” është shprehur me përplot emocione piktori akademik Tahir Emra. Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, ka thënë se ndjehet e nderuar dhe e priveligjuar që me rastin e rihapjes së Galerisë së Arteve, u hap kjo ekspozitë. “Unë ndjehem jo e madhe, porse një shërbëtore që t’ia kthejmë vlerën që për pak kohë i ka ikur Gjakovës. E tash duhet të zgjohemi, e ky zgjim duhet të vijë nga të gjitha anët. Ne po krijojmë hapësirë, e hap pas hapi do ti krijojmë këto hapësira” ka theksuar kryetarja Mimoza Kusari Lila.