.
Published On: Fri, Dec 19th, 2014

Ngrohtorja e Gjakovës sytë nga Isa Mustafa

Share This
Tags

ngrohtorja-Pas zgjedhjes së qeverisë së re të Kosovës, është ndezur edhe një fije shprese se ditëve të ardhshme mund të kemi lajme të mira nga Ngrohtorja e Qytetit. Kështu të paktën po thonë në komunën e Gjakovës. Aty kanë deklaruar se kanë dërguar kërkesa emergjente drejtuar kryeministrit Isa Mustafa dhe ministrit të Financave Abdullah Hotit për mbështetje financiare për Ngrohtoren e Qytetit.

Mësohet se kërkesa nuk ka të bëj me mbështetje afatgjatë, por të paktën vetëm për ditët më të ftohta, që pritet të jenë në muajin janar dhe një pjesë në muajin shkurt. Deri më tani, ende nuk ka ardhur asnjë përgjigje nga niveli qendror, megjithatë, shpresat janë të mëdha se qeveria do ta financojë blerjen e mazutit të nevojshëm për situatat emergjente.

Ndërkohë, përpos ndihmës për furnizim me mazut, qeveria pritet të ndihmojë edhe në sigurimin e mjeteve për pagat e punëtorëve, të cilët nuk kanë marrë paga tash e 9 muaj. Nga ana tjetër, sipas zyrtarëve komunal, është duke u punuar që në të ardhmen qytetarët e Gjakovës të mos përballen me problem të kësaj natyre.

Në kuadër të kësaj, ekspertët e bankës gjermane KFW janë duke punuar në teren për ta bërë studimin e fizibilitetit për ndërrimin e lëndës së parë nga mazuti në linjit, veprim ky që do të garantojë ngrohje të pa ndërprerë gjatë tërë sezonit dimëror. Bëhet e ditur se ky studim do të prezantohet në muajin janar të vitit 2015./radiogjakova/