AAK dhe Komuna përplasen për ngrohjen
Dega e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, përmes një komunikate ju ka drejtuar përfaqësuesve të mediave në komunën e Gjakovës, në të cilën bënë fjalë për situatën me ngrohje nga ngrohtorja e qytetit në Gjakovë. “Pjesa me e madhe e godinave shkollore në Komunën tonë presin që të sigurohet ngrohje për fëmijët tanë edhe për faktin tjetër që fëmijët në udhëtimin disa kilometrash nga shtëpia në shkollë ti pret një ambient i ngrohet, por deri më sot kjo ende nuk ka ndodhur.
“Të njëjtën gjendje e kanë edhe familjarët tanë në qytet që ngrohen nga Ngrohtorja, e që çdo mëngjes zgjohen me shpresë se tymtarët e Ngrohtores do të jenë në punë, por edhe sot e kësaj ditë ata mbeten me shpresë se do ngrohen një ditë. Duke u bazuar në mos pagesat e punëtorëve më shumë se tetë muaj dhe mos sigurimin e lëndës për ngrohje, qytetarët i kanë humbë të gjitha shpresat që një ditë mund të ngrohen nga Ngrohtorja e qytetit.
“Alternativa e vetme ka mbete ngrohja me energji elektrike që me rritjen e çmimit dhe pasigurisë që do kemi me furnizim me energji, qytetaret i pret një dimër me një kosto të rëndë”, thuhet ndër të tjera në komunikatën për media të degës së AAK-së në Gjakovë.
Komunikatës së AAK-së në të cilët shfaqen shqetësime për gjendjen me ngrohje në shkollat e komunës së Gjakovës i është përgjigjur Ali Tafarshiku, shef i kabinetit të kryetares Mimoza Kusari – Lila, i cili ka shtuar se gjendja nuk është ashtu siç po pretendon AAK-ja. Ai ka bërë të ditur se nxënësit nuk janë duke qëndruar në të ftohtë, sepse pothuajse të gjitha shkollat kanë lëndë djegëse, konkretisht dru zjarri dhe naftë, rezervë edhe për të paktën 3 javë.
Por, përveç kësaj Tafarshiku ka konfirmuar se furnizimi me këto lëndë për sezonin e ri është në fazën e fundit dhe shkollat do të furnizohen me naftë me datën 2 nëntor, ndërsa me dru zjarri në javën e dytë të nëntorit, sepse atëherë edhe pritet të marrë fund tenderi që është shpallur jo nga komuna, por nga ministria e Arsimit e Kosovës. Ai ka shtuar se ngritja e panevojshme e kësaj teme nga AAK-ja është e pamoralshme, ndërsa u’a ka kujtuar atyre vitin e kaluar kur ata ishin në krye të qeverisjes.
“Vitin e kaluar as në muajin dhjetor shkollat nuk kanë pasur dru zjarri e naftë, për faktin se AAK-ja në krye të qeverisë as që kishte filluar me procedurat tenderuese. Ky problem është zgjidhur në muajin janar kur ne kemi ardhur në pushtet”, ka përfunduar Tafarshiku./radiogjakova/