.
Published On: Tue, Sep 30th, 2014

Eshtrat e Tahir Zajmit rikthehen në Gjakovë

Share This
Tags

gjakova-Janë kthyer për t’u rivarrosur në Gjakovë, në vendlindjen e tij, eshtrat e veprimtarit Tahir Zajmi i cili ka vdekur rreth 40 vjet më parë në Belgjikë. Zajmi do të rivarroset në javën e dytë të muajit tetor, në një ceremoni zyrtare, ashtu siç e meriton një njeri që tërë jetën ka kontribuar për çështjen kombëtare.

Ndryshe, Tahir Zajmi i lindur në Gjakovë, qysh herët i është bashkangjitur aktivitetit kombëtar, fillimisht duke u bërë pjesë e qetës së Bajram Currit, e për të arritur më vonë të bëhet edhe sekretar personal i Bajram Currit. Në vitin 1918 detyrohet të largohet nga Kosova, por veprimtarinë e vet e zhvillon në Krumë, Kukës dhe Shkodër.

Gjatë kësaj periudhe, veproi pranë Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”  bashkë me Hoxha Kadri Prishtinën, Salih Gjuken, e të tjerë, ndërsa në vitin 1924 bëhet bashkëpunëtor i Luigj Gurakuqit në ministrinë e atëhershme të Financave.

Në vitin 1941 kthehet në Kosovë dhe aktivitetin e tijë e vazhdon në themelimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, por nga fundi i vitit 1944 sikurse edhe shumë atdhetarë tjerë detyrohet të marrë rrugën e mërgimit politik. Kalon në Austri, Itali dhe vendoset në Izmir të Turqisë ku disa vjet punoi në ndërtim. Disa vjet më vonë kaloi në Belgjikë, ku jetoi derisa vdiq në vitin 1971.

Zajmi është autor i dy veprave që janë botuar në Belgjikë, “Lidhja e Dytë e Prizrenit dhe lufta heroike e popullit për mbrojtjen e Kosovës” si dhe vepren “Tallazet e jetës dhe lotët e zemrës”./radiogjakova/