Asambleja, Gjokaj raporton për sigurinë
U mbajt mbledhja e nëntë për këtë vit e Kuvendit të komunës së Gjakovës. Me këtë rast këshilltarët e Asamblesë komunale fillimisht kanë shqyrtuar raportin e komandantit të stacionit policorë në Gjakovë, Krist Gjokaj lidhur me gjendjen e sigurisë në komunën tonë për periudhën kohore Janar-Gusht të këtij viti.
Në fjalën e tij, komandanti i stacionit të policisë Gjokaj, para kuvendarëve ka konfirmuar zyrtarisht, formimin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, drejtori kjo e cila do të funksionoi nga data 1 janar të vitit 2015. Duke prezantuar në mënyrë statistikore rezultatet e punës së punonjësve të policisë në komunën tonë, Gjokaj, ka veçuar dukurinë e vetëvrasjeve numri i të cilave gjatë periudhës së kaluar 8 mujore në komunën e Gjakovës ka qenë tri, ndërkohë që në kur është fjala tek veprat e ndryshme penale numri i tyre është më i vogël se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Më saktësisht në këtë periudhë kohore në vitin 2014 ka pas 2 raste të vrasjeve, ndërkaq në vitin kaluar 4, 13 lëndime të rënda kanë ndodhur në këtë vit, ndërkohë që në vitin 2013 numri i tyre ka qenë 21. Pos kësaj gjatë 8 muajve të këtij viti, në territorin e komunës së Gjakovës janë raportuar 552 raste të vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda karshi 662 rasteve të tilla të raportuara një vit më parë.
Sa i përket grabitjeve gjatë këtij viti janë shënuar 20 raste, ndërkohë që gjatë të njëjtës periudhë të vitit të kaluar ka pasur 14 raste të tilla. Marrë në tërësi, sipas komandantit të stacionit të policisë në Gjakovë, Krist Gjokaj, bazuar në arritjet në luftimin e krimit, situata aktuale në komunën e Gjakovës, vlerësohet në nivel të kënaqshëm, me shkallë të zbulueshmërisë mbi 50 përqind të rasteve.
Ndryshe në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Komunës së Gjakovë, është shqyrtuar edhe informata buxhetore për periudhën Janar-Qershor të këtij viti, draft-buxheti i komunës së Gjakovës për vitin 2015, pastaj shpallja e interesit publik për hapjen e rrugës së re në Çarshinë e vjetër, si dhe disa çështje tjera nga aktiviteti vijues i Kuvendit të komunës./radiogjakova/