.
Published On: Mon, Sep 8th, 2014

Shqipëri monumentale, gjunjëzohet Portugalia

Share This
Tags

lorik-canaFitore monumentale, trepikësh që të duket si një kualifikim, kjo pasi të paktën për një natë Shqipëria e italianit përfundon në faqet e para të të gjitha mediave europiane. Arsyeja nuk qëndron vetëm në faktin se bën surprizën e mbrëmjes, por i jep edhe një leksion futbolli kombëtares së Kristiano Ronaldos & CO. Ky i fundit nuk ishte dje në fushë, por përtej çdo justifikimi bosh që tanimë mund të nxjerrë edhe tifozi më i flaktë i luzitanëve, historia është gdhendur me Shqipërinë që shpërfytyron me shumë kujdes e dinakëri Kombëtaren që renditet e 11-ta në ranglistën botërore.

Ishte një fitore e Etrit Berishës, i cili në asnjë rast nuk tregoi shenja hutimi apo pasigurie. Ishte fitorja e mbrojtjes, e cila përtej disa gabimeve në pjesën e parë arriti që t’u bëjë ballë sulmeve të vendësve. Ishte fitorja e Roshit, Abrashit dhe Bekim Balajt, por sidomos e Xhani de Biazit. Kuqezinjtë e nisin disi të ndrydhur takimin, kjo edhe për faktin se vendësit startojnë me sulme pa fund. Lenjani dhe Agolli ndihen disi të frustruar në krahun e majtë, kjo edhe për faktin se aty Nani mbetet një rrezik serioz për portën tonë. Sakaq, në gabimin e parë të Agollit, i cili pasohet edhe nga një hutim i Mavrajt, mund të kishim pësuar golin e parë, por fatmirësisht Portugalia nuk ka më një sulmues klasi si dikur.

Eder, edhe pse konsiderohet si sulmues zone, mbahet me mjeshtëri nga kapiteni Cana, i cili për hir të së vërtetës, edhe falë eksperiencës vuri në punë pak më shumë se gjysmën e aftësive të tij për të neutralizuar sulmuesin e luzitanëve. Kështu, sulmi i parë dhe i vetëm i 45 minutave të para është ai i minutës së 44-t, kur Abrashi “peshkoi” Roshin në zonë, ky i fundit shmang një mbrojtës dhe tenton të pasojë për Balajn, por topi ndalet nga portieri Rui.

Fraksioni i dytë i ndeshjes nis ndryshe për kuqezinjtë, kjo edhe për faktin se De Biazi urdhëron që skuadra të dalë nga zona dhe të jetë më agresive në mesfushë. U tha, u bë. Xhaka nuk “përton” të përdorë edhe duart rast pas rasti, ashtu sikundër edhe Kukeli me Abrashin. Në këtë agresivitet vjen edhe perla e mbrëmjes: Abrashi në të djathë jep një pasim për Roshin. Ky i fundit, absolutisht një nga më të mirët në fushën e lojës, shmang bukur Koentraon dhe, pasi mbërrin gati te goditja e këndit, kroson në gjysmëlartësi në zonë, aty ku Balaj, pasi i është shkëputur mbulimit të Pepes, kalibron të djathtën dhe në gjysmë roveshatë gjuan duke shënuar, 0-1 për Shqipërinë.

Shokohen vendësit dhe kuqezinjtë kanë shansin për të dyfishuar, por dy minuta më vonë Roshi dhe Balja “kursehen”, duke i dhënë mundësi Pepes që të largojë topin nga zona. Sakaq, luzitanët kuptojnë se mund ta humbin këtë takim, ndaj lëshohen si të tërbuar drejt zonës së Berishës. Ky i fundit bëhet një mur i pakalueshëm.

Në 15 minutat e fundit trajneri Paolo Bento bën të gjitha lëvizjet e mundshme për të ndryshuar diçka në lojën e skuadrës së tij, por goli nuk vjen. Dhe pas katër minutash shtesë, arbitri francez, i cili nuk u kurseu aspak në kartonë, vërshëlleu mbylljen. Shqipëria mund luzitanët./panorama/