.
Published On: Fri, Aug 29th, 2014

Afati i parë, rreth 450 studentë u pranuan në UGJ

Share This
Tags

univ-gjakKa përfunduar afati i parë i provimeve pranuese në Universitetin Publik të Gjakovës, ndërsa stafi i këtij institucioni menjëherë ka filluar punën për organizimin e afatit të dytë dhe rrjedhimisht plotësimin e tërësishëm të vendeve të lira.

Sipas prorektorit të këtij Universiteti Kastriot Buza, në afatin e parë janë plotësuar më tepër se gjysma e vendeve të lira, ndonëse numri i aplikantëve ka qenë dyfishi i studentëve të pranuar. Sipas tij për 700 vende të lira kanë aplikuar 828 studentë, ndërsa vetëm 438 prej tyre e kanë fituar të drejtën për të qenë student të Universitetit Publik të Gjakovës. Ndërkohë, për afatin e dytë kanë mbetur të plotësohen edhe 262 vende të lira.

Buza ka treguar për numrin e të pranuarve dhe vendet e mbetura bosh për secilin fakultet veç e veç. Sipas tij në Fakultetin Filologjik, në drejtimin e gjuhës angleze është plotësuar tërë numri i kërkuar, ndërsa kanë mbetur vende të lira në drejtimet tjera.

Në drejtimin Gjuhë Shqipe kanë mbetur edhe 42 vende të lira, ndërsa në drejtimin Letërsi Shqipe kanë mbetur edhe 62 vende të lira. Në fakultetin e Mjekësisë kanë mbetur edhe 92 vende të lira, konkretisht në drejtimin Infermieri 57 dhe në drejtimin Mami 35 vende të lira.

Ndërkohë, në Fakultetin e edukimit, është plotësuar në tërësi numri në drejtimin Fillor, ndërsa kanë mbetur edhe 66 vende të lira në drejtimin parashkollor. Ndryshe, afati i dytë për regjistrimin në Universitetin “Fehmi Agani’ në Gjakovë është paraparë të mbahet në gjysmën e dytë të muajit shtator./radiogjakova/