.
Published On: Mon, Aug 11th, 2014

Arrestimet për terrorizëm, reagon Kusari-Lila

Share This
Tags

mimoza-kKryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila thotë se shkuarja në vende jashtë Kosovës për të luftuar s’ka qenë asnjëherë vlerë e vendit tonë. Ajo është habitur kur ka mësuar se njëri nga 40 të arrestuarit është edhe një i ri nga Gjakova e rrjedh nga një familje e pastër gjakovare.

“Çfarë ‘dreqi’ duhet të hyje në shpirtin e një të riu, ta helmojë atë duke synuar për ta dërguar larg vendlindjes për të luftuar luftën e huaj e cila KURRË nuk është vlerë e jona”, ka shkruar Kusari-Lila në profilin e saj zyrtar në rrjetin social “Facebook”.

Kryetarja e Gjakovës thekson në shkrim se Islami është fe e paqes dhe solidaritetit. Është fe e pranimit dhe jo e refuzimit, është fe e cila nuk e konkurron kombin dhe vlerat kombëtare.

Lexoni më poshtë postimin e plotë të Mimoza Kusari – Lilës:

Sot zyrtarisht më informuan se njëri nga 40 të arrestuarit për lidhje terroriste me organizatat ekstremiste është nga komuna e Gjakovës. Në fakt, ai jeton në qytetin e Gjakovës pak metra larg zyrave të Kuvendit Komunal.

Me prejardhje është nga një familje e vjetër gjakovare që kurrë nuk do thoje se një orientim i tillë është ushqyer nga rrethi familjar. Atëherë pyetja shtrohet: çfarë arriti të zgjojë interesimin dhe të ‘gllabërojë’ jetën e një djali të ri për ta dërguar në rrugën e pashpresë, pa të ardhme dhe me dhunë ekstreme? Çfarë ‘dreqi’ duhet të hyjë në shpirtin e një të riu, ta helmojë atë, duke synuar për ta dërguar larg vendlindjes për të luftuar luftën e huaj e cila KURRË nuk është vlerë e jona.

Nuk është vlerë kombëtare, nuk është vlerë shoqërore dhe as kurrë nuk ka ekzistuar në familjet tona si normë. Fatkeqësia e shoqërisë kosovare është se të arrestuarit nuk janë shkak i krizës tonë, ata janë pasojat e mungesës së sistemit i cili ju jep shpresë dhe vizion.

Ata janë pasojë e sistemit të dobët të edukimit, sistemit konfuz dhe të ngathët të rendit dhe ligjit që nga periudha e paraluftës e deri në ditët e sotme. Mbi të gjitha, ata janë pasojë e mungesës së zhvillimit dhe perspektivës ekonomike. Ata janë derivate të kaosit Sui generis kosovar.

Fajtorët mund të listohen në listë të gjatë. Lexoj se BIA, agjencia e intelegjencës serbe, ka dorë në rekrutimin e tyre. Edhe mund të ketë, por duke mos qenë idhtare e konspiracioneve, më duhet të them se është vepra e Slobodan Millosheviqit që vazhdon të japë ‘frytet’ e saj. Deformimi i sistemit të arsimit dhe humbja e prosperitetit ekonomik, bashkë me çoroditjen e vlerave shoqërore të Kosovës së pasluftës sjell efekt edhe pa BIA.

Pastaj, qeveritë e njëpasnjëshme të papushtetshme dhe UNMIK-u si i gjithëpushtetshëm në Kosovë. Korrupsioni dhe mungesa e performancës së institucioneve në të gjitha nivelet.

Pasurimet dhe fuqizimet e shpejta të personave të padijshëm dhe të pashkollë. Disa edhe pa vend pune u bënë milionerë në sistemin në të cilin mbretëron varfëria ekstreme, të gjitha këto sollën frustrimin dhe irritimin.

Kur në shtëpi nuk ke shujtë të ngrohtë, një fjalë e ëmbël nga të deleguarit e ‘dreqit’ kryen punë. Ende më shumë kryen punë një pagesë mujore për atë që zbardh sytë çdo mëngjes me mendimin në cilën derë të trokasë për ndihmë.

Prandaj, mos ti dënojmë vetëm pasojat, të mundohemi të izolojmë shkakun dhe të vazhdojmë bashkëjetesën si ndër shekuj, vëllezërit e gjakut dhe kombit krah njëri tjetrit.

Mos të na lëkundë zemrën shqiptare diçka tërësisht jo shqiptare dhe jo njerëzore. Islami është fe e paqes dhe solidaritetit. Është fe e pranimit dhe jo e refuzimit, është fe e cila nuk e konkurron kombin dhe vlerat kombëtare.

Kombi shqiptarë dhe fetë bashkëjetojnë në simbiozë të bukur duke krijuar mozaikun më të bukur dhe të kulturuar ndër shekuj.

Feja e shqiptarit së pari është shqiptaria, andaj të bashkuar të ndihmojmë në shërimin e shoqërisë e cila ka sëmundje serioze në një pjesë të trupit të saj”.