.
Published On: Tue, Jul 29th, 2014

Ndërtohet impianti i ujërave të zeza

Share This
Tags
 gypa-ujrat-e-zeza
Në një afat maksimal prej dy vjetësh, qyteti i Gjakovës do ta zgjidhë përfundimisht problemin me ujërat e zeza, e në mënyrë indirekte do ta zgjidhë edhe problemin me mbrojtjen e lumenjve. Tashmë është nënshkruar marrëveshje në bazë të së cilës do të ndërtohet impianti i ujërave të zeza për qytetin e Gjakovës.
 
Kjo marrëveshje është nënshkruar në mes të komunës së Gjakovës dhe kompanisë “Radoniqi” si partner lokal dhe qeverive gjermane e zvicerane, të cilat në fakt edhe do ta bartin barrën kryesore financiare për këtë projekt. Ndërkohë, për kryetaren e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, ky projekt që pritet të kushtojë 16.8 milion euro, është njëri ndër projektet më të mëdha dhe më të rëndësishëm për banorët e komunës së Gjakovës. 
 
Ndryshe, projekti i impiantit të ujërave të zeza do ta përfshijë tërë qytetin e Gjakovës, ndërsa ka kapacitet për 80 mijë banorë të këtij qyteti. Impianti do të fillojë nga paralagja e qytetit Dardania ish–Piskota, do të shkojë përgjatë tërë qytetit, bri lumit “Krena” dhe do të përfundojë tek Zidi i Sadik Agës, aty edhe ku parashihet të ndërtohet objekti për pastrimin ujërave. Sipas ekspertëve, uji që do të pastrohet, më pastaj do të derdhet në lumin Erenik dhe do të jetë i pastër rreth 95 përqind.