.
Published On: Thu, Apr 10th, 2014

Yjet i këndojnë 15 vjetorit të Betejës së Koshares

Share This
Tags

kenga-kosh1Prishtinë- Janë bashkuar emra të njohur të skenës muzikore për të sjellë një këngë historike, një këngë kushtuar  15 vjetorit të Betejës së Kosharës. Kënga e cila mbanë titullin “N’ kufi të vjetër” interpretohet nga Ismet Bexheti, Edona Llalloshi, Malsori, Lori, Shemi, Besart Ahmeti, Kujtim Selimaj dhe Teuta Shabani. Ideator i këtij projekti është Agron Jusufi një luftëtarë, mjek, gazetar, i cili edhe gjatë luftës kishte kontribuar për Kosovën.

Ai ka qenë pjesë e brigadës 138 “Agim Ramadani” në Koshare. “Duke pasur parasysh se në Brigadën 138 ‘Agim Ramadani’, kishte djem e vajza nga të gjitha trojet dhe nga diaspora, ne jemi përpjekur që edhe projekti të pasqyrojë sa më mirë këtë aspekt. Me rastin e 15 vjetorit të Betejës së Koshares, e në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për veprën e luftëtarëve, si dhe duke pasur parasysh rëndësinë historike të kësaj beteje, në dhjetor të vitit të kaluar, kemi filluar shtjellimin e idesë për realizimin e këtij projekti muzikor”, ka thënë z. Jusufi për “Zëri”.

Teksti i këngës është realizuar nga Naime Beqiraj, ndërkaq kompozimi dhe orkestrimi janë nga Korab Shaqiri. Kënga ka edhe videoklipin i cili është përgatitur me mjaftë mjeshtri nga “EMF Creative”. Sipas z. Jusufit i tërë projekti është realizuar me pjesëmarrje vullnetare, kënga përçon një mesazh të caktuar tek e gjithë publiku dhe shkon në nderim të veprës dhe kujtimit për dëshmorët dhe luftëtarët.