.
Published On: Mon, Feb 17th, 2014

Blerta Juniku

Share This
Tags

blerta-junikuKa mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Sportive, është hendbolliste, por edhe mësimdhënëse e edukatës fizike. Njeriu me të cilin ka zgjedhur të kalojë jetën, Driton Rraci është kapiten në klubin e basketbollit Vëllaznimi. Jeta e saj nga fillimi ne fund është sport.

Bëhet fjalë për Blerta Junikun, lojtare e Vëllaznimit, Prishtinës, Kosovës së Vushtrisë dhe aktualsiht Shqiponjës. Por, si është jeta e një hendbollisteje, për më teper nënë e një djali 4-vjecar. Këtë na e zbulon Blerta në “24 orë”. Ju ftojmë ta lexoni!

Në cilën orë bie alarmi i mëngjesit?
B. Juniku: Në orën 6:45, përgatitje për në punë.

Mendimi i parë që ju vjen në mendje sapo zgjoheni?
B. Juniku: Sikur ta vazhdoja edhe nja 10 minuta. (qesh)

Ku dhe me kë e pini kafen e mëngjesit?
B. Juniku: Në shtëpi me bashkëshortin, Dritonin.

Nëse jo me hendboll, me cilin sport tjetër?
B. Juniku: Me skijim.

Si hendbolliste kur ka qenë momenti që jeni ndjerë më keq?
B. Juniku: Janë dy raste që do t’i vecoja. E para në vitin 2006, që për herë të parë në formë garuese e perfaqësuam Kosovën, përkatësisht Gjakovën, në arenën ndërkombëtare në Mostar të Bosnjës dhe nuk arritëm të kualifikoheshim edhe pse ishim shumë afër…  dhe e dyta, me ekipin e Shqiponjës kemi qenë tre herë radhazi në finale të Kupës së Kosovës dhe nuk e kemi fituar atë.

Po momenti më i mirë?
B. Juniku: Me ekipin e Prishtinës e kam fituar Kupën 2003-2004. Ishte një ndjenjë e papërshkrueshme gëzimi e krenarie.

Mësimdhënia apo hendbolli?
B. Juniku: Mësimdhënien e kam dhe profesion, kurse tek ne sporti merret dhe duhet të merret si hobi pasi që nuk kemi arritur në shkallën e vetëdijësimit dhe përkrahjes që edhe sporti mundet me qenë profesion dhe me jetu me këtë punë, por duhet kohë me arrit deri tek kjo pikë.

A është e vështirë krahas hendbollit të merreni dhe me mësimdhënie?
B. Juniku: Shumë e vështirë, si pikë e parë nuk ke pushim te mjaftueshëm, forcë dhe kohë me u marr mandej edhe me sport apo edhe me një punë dytësore, por për fat të mirë për mua nuk ka qenë problem se e kam përkrahjen e mjaftueshme qe t’iu qëndroj ballë të dyjave.

Sa kohë duhet të ushtroheni zakonisht për një ndeshje?
B. Juniku: Përgatitjet e para para fillimit të kampionatit fillojnë dy muaj para pasi ndahen në tre faza, mandej kur të fillon kampionati kohë për përgatitje të secilës ndeshje e kemi nga 5-6 ditë pasi që cdo fundjavë zhvillohen ndeshjet deri në perfundim të sezonit.

Do e pranonit një ofertë për të luajtur jashtë vendit?
B. Juniku: Sikur të ishte një ofertë e leverdisshme dhe frytdhënëse gjithsesi që do e pranoja pasi që ëndërr e secilit person të talentuar është që të ketë sukses dhe jashtë kufinjve të shtetit të vet.

Sportisti preferuar?
Sportisti i Kroacisë, Balicc me të gjitha vetitë që i kërkohen një sportisti të suksesshëm.

Si është të punoni me nxënës?
B. Juniku: Tash nëse vazhdoi të flas do të më duhet një javë kohë (qesh). Një punë e përgjegjshme, me një lodhje psikike, me një pergatitje shumë të madhe pasi që fëmijët dinë të krijojnë befasira dhe pyetje nga më të ndryshmet, por njëherit është një kënaqësi shumë e madhe se ke të bësh me gjenerata të ndryshme, tipe të ndryshme dhe karaktere të ndryshme të fëmijëve.

Çfarë do të ndryshonit në jetën tuaj?
B. Juniku: Asgjë. Deri më tani kam një jetë shumë të kompletuar, me prindër dhe motra të mahnitshme, me bashkëshortin dhe fëmijën e mrekullueshëm, me përkrahje maksimale nga mbarë të afërmit, nuk kam cfarë kërkoj përfekten sepse ajo nuk ekziston.

Sa rezervoni kohë për familjën tuaj?
B. Juniku: Mundohem që çdo sekondë të lirë të ju kushtoj atyre, si në shëtitje, si në gatim, sidomos djalit me lojra, shënime tani edhe me mësime të vjershave, numërimi si në shqip po ashtu dhe në gjuhën angleze e kështu me radhë.

Pas një dite të lodhshme, vendi juaj i preferuar për çlodhje është?
B. Juniku: Një vizitë tek prindërit e mi.

Kur është një ditë e humbur për ju?
B. Juniku: Kur nuk jam në punë, nuk i shoh nxënësit e mi, sidomos të klasës sime kujdestare, pa aktivitet sportiv.

Thënia e preferuar?
“Jeta është një shkollë që e kryejnë edhe analfabetët”

Eli Bytyqi/radiogjakova/