.
Published On: Mon, Oct 7th, 2013

I jepet lamtumira e fundit Prof. Halil Muhaxherit

Share This
Tags

halil-muhaxhriGjakovë- Të hënën në mesditë është përcjellur për në banesen e fundit profesor magjistër Halil Muhaxheri, piktor, profesor i Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës që nga viti 1974, i nderuar më shumë mirënjohje për pikturat e tij dhe fitues i dhjetëra shpërblimeve.

Autori i 15 ekspozitave personale dhe pjesëmarrës në shumë të tjera kolektive kishte mbyllur sytë përgjithmonë mbrëmjen e së dieles pas një sëmundje të gjatë.

Familjarë, miq, kolegë, studentë dhe qytetarë të shumtë nga gjitha Kosova i kanë dhënë nderimin e fundit profesor Muhaxherit në varrezat e qytetit në Gjakovë.

Në fjalen e tij, dekani i Akademisë së Arteve në Prishtinë, Adem Rusinovci ngriti lartë figuren dhe punën e të ndjerit duke thënë se ne po themi lamtumirën e fundit profesor Halilit, por jo artit të tij që do të jetojë përgjithmonë.

“Profesor Muhaxheri më shumë mësoj prej dhimbjes sesa prej dëfrimit. I tillë ishte fati i popullit që i takonte profesor Muhaxheri. Ai e pëlqente vetmin në vend të masës; izolimin në vend të popullaritetit; qetësinë në vend të zhurmës; Gjakovën në vend në kryeqytetit dhe mbijetesën në vend të pasurisë. Tek ty profesor pamë shumë dashuri e aspak urrejtje. Më shumë jetë se vdekje”, tha në fjalen e tij emocionuese Rusinovci.

Halil Muhaxheri lindi më 5 prill 1945 në Gjakovë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen e arteve në Pejë. Fakultetin e Arteve Figurative, dega e pikturës, e mbaroi në Beograd më 1970, ndërsa studimet pasuniversitare në po të njejtën degë, i përfundoi po në Beograd në 1972./radiogjakova/