.
Published On: Sat, Aug 31st, 2013

“Lufta” për Asamble

Share This
Tags

asambleja-gjakoveGjakovë- Krahas garës për kryetar të komunës, e cila duket të jetë mjaft interesante dhe e ka tërhequr tërësisht vëmendjen e opinionit, partitë politike mjaft rëndësi janë duke i kushtuar edhe listave të kandidatëve për Asamble komunale, lista nga të cilat do të varet edhe përbërja e re e legjislativit lokal të Gjakovës.

Përfaqësues të partive politike thonë se janë në fazat e fundit të përpilimit të listave dhe janë duke i kushtuar kujdes të madh përzgjedhjes së emrave. Të gjithë insistojnë se të përzgjedhurit e tyre janë emrat më të mirë të mundshëm dhe zgjidhjet më të mira për votuesin.

Ndonëse jo zyrtarisht, mësohet se e vetmja parti që deri me tani e ka përfunduar përpunimin e listës është Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilës gjithashtu mësohet se do t’i prijë vet kandidati për kryetar komune Luan Gola.

Në përfundim të përzgjedhjes së emrave janë edhe në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Në këtë parti thonë se i kanë zgjedhur emrat më të mirë të mundshëm, por nuk bëjnë me dije se kush do të jetë bartës i listës.

Këtë informacion nuk e japin as në Aleancën Kosova e Re, por burime tona mësojnë se bartës i listës së këtij subjekti do të jetë ish-kryetari i degës Shpetim Rudi.

Një pjesë të listës e ka publikuar edhe Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa sipas të gjitha gjasave listës së këtij subjekti do t’i prijë Driton Çaushi, i biri i veprimtarit Bardhyl Çaushi. Edhe në këtë subjekt thonë se janë në finalizim të listës së plotë, ndërsa shtojnë se oferta e tyre është mjaft joshëse për qytetarët./radiogjakova/